E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tradhëtuam dhe ne Shopenhauerin

Gati, gati isha e bindur se ne shqiptarët ishim njohësit më të mirë të Shopenhaurit. Kë nuk kam lexuar e dëgjuar ta citojë. Po bindesha se edhe një farë alergjie e jona ndaj protestave e sindikalizmit, bërjes bashkë e një grupi njerëzish për të kërkuar të drejta themelore, vinte tamam nga njohja e filozofisë shopenhaueriane, e cila ngre individin e përçmon masën. Në pamundësi shprehjeje në diktaturë, ky admirim shpërtheu natyrshëm në kohë demokracie e kështu secili sheh punën e vet duke pasur alergji për grupimet.
Nuk është habi të dëgjosh në Tiranë të citojë aforizma të Shopenhauerit shitësja e një dyqani tatuazhi, taksisti në rrugën Rinas-Tiranë, kolegu i përgjumur e apatik që duket se ka kuptuar thellë konceptin e lumturisë së filozofit gjerman. Në një bisedë mes miqsh, ku po flitej tamam për këtë gjë, një gjerman u shpreh i habitur me atë që kishte konstatuar, sidomos pas një dialogu mbi këtë temë me amvisën shqiptare që gatuante në shtëpinë e një diplomati në Tiranë tha se “vetë gjermanët ishin të gatshëm të na e falnin si hero të dytë kombëtar, pas Skënderbeut, ngaqë akoma s’i gëlltisin deklaratat se... i vinte turp se ishte gjerman”. M’u kujtuan të gjitha këto, ndërsa po lexoja dhe një mail të shpërndarë dje nga Alban Guri, që përmbante fabulën e famshme të iriqëve, që sjell si shembull Shopenhauer, për të treguar se njerëzit sa herë bashkohen kuptojnë se duhet të krijojnë një distancë të domosdoshme nga bezdia që u krijon natyrshëm ekzistenca në grup. Për pak sa nuk do ta bëja përfundimisht timen idenë se ne kishim kuptuar atë që thotë Shopenhauer “intelekti nuk është një dhunti e masës, por e individit të mësuar. Ndaj ky individ, i vetëm, mund t’u kundërvihet dhjetëmijë të tjerëve, e... një organizim prej mijëra budallenjsh nuk vlen as sa vetëm një person i zgjuar”. Them për pak, sepse, përpiqem të gjej të tjera arsye se pse ne shqiptarët nuk bëhemi bashkë të protestojmë në gjithë këtë tranzicion për dritat, ujin, shëndetësinë, arsimin, hajdutët, e nuk gjej tjetër gjë veç bërjes tonës në masë të filozofisë së Shopenhauerit. Deri dje më zgjati kjo bindje sepse protesta pasionante e gati 500 vetëve në sheshin qendror të Lezhës më bëri të ndryshoj plotësisht mendim: Dimë dhe ne shqiptarët të protestojmë, kur bëhet fjalë për çështje si ajo e shijeve seksuale të Klodit në Big Brother, por m’u kujtua se kisha harruar fare se ç’miting bëhej para godinës së News24 kur Alban Rexha shante Benin homoseksual te “Kafazi i artë”. Dimë dhe ne të protestojmë e të bëhemi bashkë. S’paska gjë të na mbajë për çështje krevati të të tjerëve. S’ka gjë se tradhtojmë atë që të gjithë e citojmë: Filozofin idhnak gjerman Artur Shopenhauer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›