E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tradhtia e Falklandeve, pse SHBA nuk e mbështet Britaninë?

Autori i Lajmit: A.Dralo
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, pritet të takohet me presidenten argjentinase ditën e stome. SHBA ka qenë disi e tërhequr në konfliktin e fundit detar, madje është akuzuar se ka shpërfillur aleatët e saj britanikë për çështjen e shpimit për naftë në këta ishuj. Zonja Klinton do të zhvillojë takimin e saj me Kristina Fernandez de Kirchner në Uruguai. Shpresat që SHBA të ndërhyjë në këtë konflikt janë shumë të larta nga pala argjentinase. Një gazetë e madhe argjentinase, “La Nacion”, citoi burime të Departamentit Amerikan të Shtetit se zonja Klinton ishte përgatitur për të negociuar në këtë konflikt. Mungesa e mbështetjes së SHBA-së ndaj miqve të vjetër mendohet të ketë ardhur pasi amerikanët e quajtën të gabuar vendimin e Britanisë për të nxjerrë disa informacione të shërbimeve sekrete amerikane për një të dyshuar si terrorist. Presidenti Barak Obama u akuzua se ishte treguar “i pafuqishëm” për të mbështetur Londrën në qëndrimin e saj ndaj Argjentinës për ishujt e debatuar, pavarësisht “marrëdhënies së tyre të veçantë”. Zonja Klinton dhe Kirchner do të takohen në Uruguai gjatë përurimit të presidentit vendas, José Mujica. Deri tani Argjentina ka pasur mbështetjen e Amerikës Latine dhe Karaibeve dhe liderët rajonalë pritet t’i bëjnë presion shefes së politikës së jashtme amerikane. Marrëdhëniet mes Buenos-Airesit dhe Uashingtonit, që kur Barak Obama ka ardhur në pushtet, kanë qenë më pak se “speciale”. Presidentja argjentinase, Kristina Fernandez de Kirchner, thuhet se është në listën e zezë të librave të Obamës, pasi refuzoi të të takohej me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për rajonin, Arthur Valenzuela, dhjetorin e vitit të shkuar. De Kirchner është gjithashtu e vetmja udhëheqëse e Amerikës Latine, e cila nuk është takuar ende me presidentin amerikan që kur ky i fundit erdhi në pushtet. Megjithatë, kjo nuk i venit shpresat për takimin e sotëm me Hilarin. Londra dhe Buenos-Airesi kanë shpërthyer në akuza kundër njëra-tjetrës për shkak të vendimit të fundit të kompanisë britanike të naftës, “Desire Petroleum”, e cila ka nisur shpimet për arin e zi 60 milje në veri të ishujve Falkland. Gjeologët mendojnë se atje ka deri në 60 miliardë fuçi naftë rezervë. Qeveria argjentinase ka kërkuar një rezolutë të OKB-së për ndaljen e menjëhershme të këtij projekti. Ajo ka siguruar gjithashtu dhe mbështetjen e 32 vendeve latine, të cilat janë me Argjentinën dhe, sipas tyre, Britania i ka pushtuar ilegalisht ishujt më 1833. Por pavarësisht përplasjeve me Argjentinën, pozicioni i zyrtarëve të SHBA-së për shpimet është neutral. Ata nuk kanë marrë gjithashtu asnjë pozicion për çështjen e sovranitetit të ishujve në Atlantikun Jugor. Një deputet i vjetër britanik dhe shef i një kompanie kërkim për çështjet e politikës së jashtme, pretendon se qëndrimi i Uashingtonit është “çmimi” për gjyqet britanike që urdhëruan hapjen e dosjeve sekrete të CIA-s në rastin e Binyam Mohamed. Dy javë më parë, amerikanët thanë se ata “ishin shumë të zhgënjyer” që ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, u kishte thënë gjykatësve të Apelit që të publikonin informacionin sekret për ish-të burgosurin e Guantanamos. Edhe pse kanë kaluar 28 vjet, tensionet për këta ishuj strategjikë mbeten ende të larta dhe Argjentina vazhdon t’i quajë ata ishujt Malvine. Që prej vitit 1993, 3000 banorë të këtij ishulli që vetëqeveriset, kanë qenë të gjithë nënshtetas britanikë. Britania ka më shumë se 1000 veta personel ushtarak në tokë dhe 300 të tjerë në det, po ashtu dhe një flotë detare të përmasave modeste të vendosura në këta ishuj.

Ky lajm është publikuar: 01/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›