Arrestohet në Golem Sali Lusha
Ish- Bodigardi i kryeministrit arrestohet nga Policia për prishje të qetësisë dhe kundërshtim të Policisë
Incidenti në kompleksin në pronësi të Lushës. Bashkë me të ndalohen edhe shtatë persona të tjerë
KAVAJË- Arrestohet në Kavajë, Sali Lusha, ish- bodigardi i kryeministrit Sali Berisha, me akuzën e goditjes dhe fyerjes së punonjësve të komisariatit të Policisë së Kavajës. Pas një konflikti që kishte lindur me muzikën e lartë që kishte lokali në pronësi të Lushës, të cilin punonjësit e policisë kërkonin ta mbyllnin për shkak të ndotjes akustike (zanore) që ajo shkaktonte duke krijuar shqetësim tek pushuesit e ndryshëm.
Lusha ka përfunduar në prangat e policisë për akuzën e prishjes së qetësisë publike dhe kundërshtimit të forcave të policisë gjatë orëve të vona të së mërkurës, duke u gdhirë dita e djeshme kur ai ka kundërshtuar kërkesën e policisë për të ulur e minimizuar volumin e muzikës në kompleksin turistik që është në pronësi të tij, në plazhin e Golemit, pranë Shkëmbit të Kavajës.
Bashkë me Sali Lushën janë arrestuar dhe shtatë persona gjithashtu të akuzuar të tjerë për akuzën e prishjes së qetësisë publike dhe kundërshtimit të forcave të policisë mes të cilëve edhe bashkëpronari i kompleksit Abdyl Gjomakaj. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, janë arrestuar Shkëlzen Susa, Visar Kashari, Mariglen Blliku, Rubin Grazhdani, Renaldo Gecaj, Egdar Muça dhe Abdyl Gjomakaj, të cilët janë përfshirë në debat me efektivat e policisë për volumin e lartë të muzikës në kompleksin në pronësi të Lushës.
Madje jo vetëm kaq por sipas pohimit të zyrtarëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Lusha dhe personat e tjerë që shoqëronin atë kanë fyer dhe kundërshtuar punonjësit e policisë së komisariatit të Kavajës.
Sipas policisë, të gjithë të arrestuarit janë përfshirë në debatin midis forcave të rendit dhe Sali Lushës, për muzikën e lartë në kompleksin në pronësi të këtij të fundit.Ndërkaq, pas refuzimit të tyre për të ulur volumin e lartë të muzikës, efektivët e policisë kanë vendosur shoqërimin e tyre në Komisariatin e Kavajës, veprim që gjithashtu është kundërshtuar nga efektivët e policisë.
Pas këtij veprimi, burime zyrtare të policisë pohuan se është vendosur shoqërimi në komisariat me çdo mënyrë. Të gjithë personat kanë përfunduar në ambientet e policisë fillimisht në cilësinë e të shoqëruarve.
Por më pas ndaj të tetë personave të shoqëruar është vendosur të merret masa e arrestit në flagrancë me akuzën e kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë fyerjes për shkak të detyrës e prishjes së rendit dhe të qetësisë publike.
Ndërkaq, dje policia e Kavajës ka referuar materialet përkatëse në prokurorinë e rrethit ndaj të tetë personave të akuzuar nga blutë e këtij qyteti me disa akuza.
Shkëlzen Susa,
Visar Kashari,
Mariglen Bliku,
Rubin Grazhani,
Renaldo Gecaj,
Egdar Muca
Abdyl Gjomakaj
Kush është Sali Lusha
Sali Lusha, për gati gjashtë vjet ka shërbyer si shoqërues i kryeministrit Sali Berishës, në periudhën kur ai ishte president i vendit dhe deri rreth vitit 1999. Gjatë gjashtë viteve të qëndrimit përkrah kryeministrit Berisha, Sali Lusha e shoqëronte atë pothuajse në çdo dalje publike të tij.
Ndërkaq pas vitit 1997, ai shërbeu edhe disa vite pranë Berishës, ndërsa ishte një nga dëmitarët e vrasjes së ish- deputetit të PD-së Azem Hajdari dhe një nga dëshmitarët e procesit gjyqësor të zhvilluar për këtë çështje, ndërsa për disa vite ka jetuar në Belgjike me statusin e azilantit politik.
8 persona janë arrestuar dje në orët e para të mëngjesit nga Policia e Kavajës, midis tyre Sali Lusha, dhe bashkëpronari i një kompleksi turistik në Golem të Kavajës, për shkak se sipas policisë Lusha i kundërshtoi ata gjatë ndërhyrjes së tyre për të mbyllur lokalin me muzikë të lartë.
Udhri i Policisë për ndotjen akustike
Dy ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikoi një urdhër për mbylljen e të gjithë atyre lokaleve, diskove në bregdet që krijojnë ndotje akustike. Sipas njoftimit të parë të policisë, të nxjerrë më datë 5 gusht, nga e hëna deri ditën e enjte pas orës 24.00, dhe për ditët e premte dhe e shtunë pas orës 02.00, do të ndërpriten aktivitetet që krijonë zhurma shqetësuese për pushuesit, në zonat turistike.
Ndërsa dje në një sqarim për publikun, policia bëri me dije se qëllimi i këtij urdhri nuk është që të mbyllen diskot, restorantet, klubet e natës, pas orarit të përcaktuar, por nësë krijojnë ndotje akustike, atëherë do të ndërmerret një veprim i tillë.
Sipas policisë, të gjithë ato biznese që janë në shërbim të pushuesve përfshi lokalet dhe diskot në bregdet nuk do të mbyllen pas këtij orari, por vetëm nëse krijojnë shqetësime për pushuesit, nga muzika e lartë. Urdhri i Policisë së Shtetit, ka ardhur pas ankesave të shumta të pushuesve, vendas dhe të huaj, për volumin e lartë të muzikës në lokalet e natës në bregdet.