Trafik femrash në Belgjikë, kapet në Durrës lituanezja
E kërkuara për disa vepra penale ishte e martuar me shqiptar.
Arrestohet për llogari të shtetit belg një 32-vjeçare nga Lituania, e cila akuzohet për të paktën pesë vepra të ndryshme penale. Jolanta Hashia, 32 vjeçe, lindur në Lituani dhe prej disa vitesh banore e qytetit bregdetar, është arrestuar dje në banesën e saj nga Policia lokale. Sipas Policisë, arrestimi i lituanezes u bë për shkak se më datë 17.05.2012 është shpallur në kërkim nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi në ngarkim të saj autoritetet gjyqësore belge (Gjykata e Apelit Liege) kanë lëshuar më datë 03.05.2011 urdhërarrestin për veprat penale të pjesëmarrjes në organizata kriminale, trafikim të qenieve njerëzore, shfrytëzim prostitucioni, si dhe emigracion klandestinësh. Veprat e mësipërme penale 32-vjeçarja i ka kryer gjatë kohës që jetonte si emigrante në Belgjikë. Burime policore thanë se vajza ishte e lidhur me rrjete të ndryshme kriminale dhe, ndonëse jetonte në Shqipëri, merrte pjesë sërish në vepra të ndryshme penale, duke filluar nga shfrytëzimi i prostitucionit, deri te trafikimi i qenieve njerëzore. Gjithashtu mësohet se 32-vjeçarja nga Lituania me pasaportë shqiptare është nënë e tre fëmijëve. Ajo jetonte prej disa vitesh në një nga lagjet e Durrësit së bashku me fëmijët dhe bashkëshortin e saj, ndërkohë që e vizitonte herë pas herë Belgjikën. Policia, e cila kishte marrë informacion se Gjykata e Liegit e fajësonte 32-vjeçaren dhe e ngarkonte atë me mbi pesë vepra të ndryshme penale, organizoi operacionin për kapjen e saj, me qëllim ekstradimin drejt Belgjikës. Dyshohet se 32-vjeçarja ka qenë negociatore për trafikimin e qenieve njerëzore (kryesisht femra) drejt Belgjikës. Vajza nga vende të ndryshme të Europës dhe jo vetëm kanë rënë pre e mashtrimit të Jolantës dhe janë shfrytëzuar për prostitucion në trotuaret dhe motelet e Belgjikës. Por, Hashia ishte një specialiste e vërtetë edhe në fushën e trafikut të klandestinëve. Mendohet se janë me dhjetëra rastet kur Jolanta, së bashku me persona të tjerë që po hetohen nga autoritetet belge, kanë dërguar kundrejt një pagese të majme klandestinë nga vende të ndryshme të botës drejt Belgjikës. Mësohet se vajza ka pasur bashkëpunim me grupe mafioze nga Shqipëria dhe nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, vende të varfra, ku kërkesa për të bërë një jetë më të mirë larg vendlindjes është shumë e madhe. Por, ndonëse vajza nuk binte shumë në sy, ajo është pikasur nga autoritetet vendëse (belge) për aktivitetin e paligjshëm që ushtronte dhe për këtë Gjykata e Liegit ka lëshuar urdhër arresti për të. Edhe pas urdhrit për të arrestuar 32-vjeçaren është dhënë rreth një vit më parë, saktësisht me datë 03.05.2011, arrestimi i saj u realizua vetëm dje nga Policia e Durrësit.
Masa e sigurisë
Jolanta Hashia do të dalë përpara togave të zeza dhe do të japë llogari për veprat penale që rëndojnë mbi të. Fillimisht lituanezes do ti bëhet një seancë gjyqi formale në Gjykatën e Durrësit, e cila do të vendosë masën e sigurisë për të, masë kjo që do të qëndrojë në fuqi deri në përfundimin e procedurave për ekstradimin e saj drejt Belgjikës, vend në të cilin ka kryer edhe aktivitetin e paligjshëm.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ