E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamzë, shtatë të dënuar për sulmin në Komisariat

Komisariati i Policisë Nr. 5 në Kamzë

Ngjarja në shenjë proteste për ndalimin e vëllait, 2 të tjerët sulmuan policët.

Ngjarja në korrik 2011, dy policë u plagosën brenda rajonit.

Shtatë persona të akuzuar për sulmin e dhunshëm të mbrëmjes së 21 korrikut 2011 ndaj Komisariatit të Policisë Nr.5 në Kamzë u deklaruan fajtorë nga Gjykata e Tiranës. Në këtë sulm u lënduan 4 policë dhe iu shkaktuan dëme materiale godinës së Komisariatit. Pak ditë më parë, togat e zeza të kryeqytetit i dhanë fund shqyrtimi të dosjes, anëtarë të dy familjeve, duke dhënë ndaj tyre dënime me burg ose me gjobë. Sulmi ndaj njerëzve të shtetit pati për protagonistë të afërmit e një të riu, i cili ishte shoqëruar në Komisariat për një verifikim dhe më pas u la i lirë.
Shoqërimi i tij nuk u prit mirë nga të afërmit e tij, të cilët shkuan në Komisariat dhe u konfrontuan fizikisht me disa punonjës policie. Sipas të dhënave, dy prej policëve morën dëmtime të rënda, një prej të cilëve pësoi dëme të pariparueshme në njërin vesh. Të pandehurit e dosjes së hetuar nga prokurori Hysni Mulaj u deklaruan fajtorë për veprat penale kundërshtim i punonjësit të rendit publik, fyerje për shkak të detyrës, prishje e qetësisë publike dhe shkatërrim prone.
DENIMET
Pas 14 seancash shqyrtimi gjyqësor, më 17 maj gjyqtari Gerd Hoxha shpalli verdiktin përfundimtar, duke i shpallur të fajshëm të gjithë të pandehurit. Referuar vendimit, më e rëndë masa e dënimit është dhënë për të pandehurit Liri dhe Astrit Halili, që janë dënuar përkatësisht me 1 vit e 6 muaj dhe 1 vit e tre muaj heqje lirie. Ata janë deklaruar të fajshëm për akuzat shkatërrim i pronës, kundërshtim të punonjësit të Policisë me dhunë dhe prishje të qetësisë publike. Po sipas gjykatës, i pandehuri Klevis Halili është dënuar me 1 vit burg, i pandehuri Armando Jaupi me 6 muaj burg dhe i pandehuri Shkëlqim Halili me 3 muaj burg. Ndërsa të pandehurit Valbona dhe Bashkim Mullahi janë dënuar me nga 300 mijë lekë gjobë. Sipas vendimit, për të gjithë të pandehurit e sipërpërmendur gjykata ka gjetur të paprovuar akuzën e fyerjes për shkak të detyrës. Kjo akuzë është pushuar për të gjithë të pandehurit.
SULMI
Në vendimet gjyqësore të caktimit të masave të sigurisë të të pandehurve pas arrestimit të tyre, ngjarja rrëfehej si më poshtë:
Më datë 21.07.2011, rreth orës 22:30, vëllezërit Astrit, Shkëlqim dhe Liri Halili kanë shkuar para godinës së Komisariatit të Policisë Nr.5, Kamzë, Tiranë. Janë afruar te zyra e informacionit dhe kanë filluar të shajnë e fyejnë në drejtim të punonjësve të Policisë në shërbim. Pasi dëgjon këto zhurma, shefi i Krimeve, Artur Hyka, ka zbritur për të parë se çfarë po ndodhte dhe në këtë moment është shoqëruar nga punonjësi i Policisë E. Demaliaj. Të dyshuarit, sapo kanë filluar komunikimin me të dëmtuarit, kanë filluar ti fyejnë këta dy punonjës policie me fjalë banale si dhe ti godasin me grushte e me mjete të forta, duke i dëmtuar si punonjësit e Policisë të sipërpërmendur, ashtu dhe duke thyer xhamat e Komisariatit. Me ndërhyrjen e trupës së gatshme të Policisë, të dyshuarit janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë. Pas kësaj ngjarjeje, me urdhër të zv. drejtorit të Policisë së Tiranës, u pezulluan nga detyra 15 efektiva të Komisariatit të Policisë Nr.5 në Kamzë. Motivacioni i shkarkimit të tyre ishte fakti se ata nuk ndërhynë në kohën kur personat e akuzuar sulmuan shefin e Krimeve të Komisariatit dhe se nuk i janë bindur menjëherë urdhrit të eprorit të tyre.    ar.ba

Masat e dënimit
Liri Halili
1 vit e 6 muaj burg

Astrit Halili
1 vit e 3 muaj

Klevis Halili
1 vit burg

Shkëlqim Halili
3 muaj burg

Armando Jaupi
6 muaj burg

Valbona Mullahi
300 mijë lekë gjobë

Bashkim Mullahi
300 mijë lekë gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›