E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurosong, sot gjysmëfinalja, Rona këndon e pesta

Nishliu dje në provat e veshjes

Një skenë e errët, ku ngjyra dominuese është e kuqja, mbështjell përfaqësuesen shqiptare Rona Nishliu. Ajo kishte veshur një fustan shumë elegant me një jakë të lartë, dhe një pelerinë blu mbi pantallona të zeza. Në vend të gjerdanit, ajo ka vendosur rreth qafës një tufë flokësh. Çfarë zëri!, ishte komenti i prezantuesit për performancën e Ronës Suus dhe ne biem dakord me këtë deklaratë!. Kështu shkruhej dje në faqen zyrtare të Festivalit Europian pas provave të konkurrentëve të natës së parë gjysmëfinale. Konkurrentët provuan, të veshur me rrobat me të cilat do të ngjiten sot në skenën e festivalit. Kështu që edhe Rona më në fund e zbuloi veshjen e saj, që e kishte mbajtur sekret gjatë gjithë kësaj kohe. Ajo nuk heq dorë nga veshjet ekstravagante. Ajo do të paraqitet me një veshje të çuditshme në kombinimin e ngjyrave e zezë dhe blu. Deri tani komentet për përfaqësuesen shqiptare kanë qenë shumë pozitive, sidomos për vokalin e saj. Sot në mbrëmje do të ngjiten 18 konkurrentë në skenën e Bakusë në Azerbajxhan. Këngëtarja nga Mitrovica do të ngjitet e pesta me këngën Suus (Personale) me tekst të shkruar nga vetë ajo dhe muzikë të Florent Boshnjakut. Sot në mbrëmje do të vendoset nëse Shqipëria do të jetë më me fat këtë vit dhe do të kalojë në natën finale të festivalit. Kjo është hera e nëntë që Shqipëria merr pjesë në Festivalin Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›