E Diel, 1 Nëntor 2026

Padia e gardistit, Gjykata: Gjobë vëllait të Hekuran Dedës

Hekuran Deda, i vrarë më 21 janar

TIRANE Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës, një prej viktimave të demonstratës së 21 janarit 2011, u gjobit dje për shpifje nga Gjykata e Tiranës. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e gardistit Fatos Skeja, i cili iu drejtua Gjykatës pas disa deklaratave publike të Dedës, se Skeja u kishte shkuar në shtëpi pas 21 janarit dhe u ka ofruar para e foton e vrasësit, në këmbim të një vizite të Kryeministrit në banesën e tyre. Gjyqtari Arben Mullaj vendosi dje pranimin e pjesshëm të kësaj kërkesë-padie, duke vendosur detyrimin e të paditurit Zabit Deda për të paguar një dëmshpërblim prej 250 mijë lekësh paditësit Skeja. Në të njëjtin vendim, Gjykata urdhëron të paditurin Deda të përgënjeshtrojë deklaratat e tij në tri gazetat me tirazhin më të madh në vend. Pas shpalljes së vendimi, mbrojtësi ligjor i të paditurit Deda, avokati Koli Bele, shprehu keqardhje duke e cilësuar vendimin si të paracaktuar. Nga mënyra se si u zhvillua ky gjykim, u pa që e reja e këtij vendimi ishte data e shpalljes, pasi gjykata, mesa duket, e kishte marrë vendimin para se të fillonte gjyqi. Është një vendim i trishtueshëm për familjen Deda, nëse do të ngelej në fuqi. Por, përtej problemit familjar të Zabit Dedës, është një standard i trishtueshëm i Drejtësisë, që edhe në çështjet penale, edhe në çështjet civile, në mungesë të plotë të provave, mjafton që paditësi të jetë në krahun e duhur. Të sjellë një faqe padi-kërkesë dhe padia pranohet, komentoi avokati për mediat pas daljes nga Gjykata. Kërkesë-padia e Fatos Skejës kundër Zabit Dedës u regjistrua në Gjykatën e Tiranës më 19 janar 2012. Skeja kërkon dëmshpërblim me 5 milionë lekë të vjetër për shkak të dëmit të shkaktuar nga thëniet publike, sipas tij të pavërteta, të Zabit Dedës. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës është duke shqyrtuar një tjetër padi për dëmshpërblim të gardistit Skeja kundër vëllait tjetër të Hekuran Dedës, Hilmi Deda.                       ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›