Vrasja e Rizik, 10 mijë USD për autorët

Shtetasi palestinez i vrarë, Anwar Rizik
Atentati ndaj palestinezit, hetimi në pistat e konflikteve të pronësisë së fabrikës e sherreve në biznes.
Policia: Shpërblimi për ata që ndihmojnë kapjen e ekzekutorëve.
Dhjetë mijë dollarë janë vënë në dispozicion të zbulimit të autorëve të vrasjes së shtetasit palestinez, Anwar Fuad Rizik. Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi dje, me anë të një deklarate, se në lidhje me vrasjen e shtetasit palestinez Anwar Rizik, ofrohen 10 mijë dollarë shpërblim për personin që do të japë informacion të dobishëm e që çon në kapjen e autorit të kësaj vrasjeje. Drejtoria e Policisë së kryeqytetit theksoi se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, që po punon intensivisht me Drejtorinë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Policia njëherësh ka falënderuar qytetarët, të cilët mbështesin dhe informojnë në kohë strukturat e Policisë. Në deklaratë garantohet në çdo rast ruajtja e anonimatit për informatorët që japin të dhëna duke telefonuar në numrin e kontaktit të Policisë së Shtetit: 129; Cel: 069 41 06 433; 069 41 00 751. Pak ditë më parë, Prokuroria riktheu dosjen në Polici për plotësim me prova, pasi në gjendjen aktuale nuk ka të dhëna të mjaftueshme për zbulimin e autorit.
Vrasja e palestinezit, pa autor
Shtetasi palestinez Anwar Fuad Rizik, 43 vjeç, me profesion inxhinier dhe me detyrë zv.drejtor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, u ekzekutua në hyrjen e oborrit të banesës së tij, më 9 maj 2012 në mëngjes. Teksa dilte nga banesa, duke hapur kanatet e portës, shtetasi palestinez aktivizoi bombën, e cila i mori jetën në vend. Dosja ka një javë që është dërguar nga Policia në Prokurori, por sipas burimeve nga hetimi ende nuk ka prova të mjaftueshme për identifikimin e autorit të krimit. Pista kryesore është vrasja e 43-vjeçarit për shkak të detyrës që ai kryente në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Dy persona nga fisi Zalla në Fushë-Krujë kishin dërguar mesazhe kërcënuese në adresë të drejtuesve të fabrikës me të cilët kishin konflikte, për shkak të tokës ku është vendosur godina në fjalë. Ndërkaq, numri i personave në konflikt me fabrikën e çimentos ka qenë më i madh. Për këtë arsye, menjëherë pas vrasjes së 43-vjeçarit nga Palestina, forcat speciale shoqëruan më se 20 persona në Fushë-Krujë. Të gjithë të shoqëruarit u lanë të lirë 48 orë më pas, për shkak se nuk kishte prova për implikimin e tyre në ngjarje. Për këtë arsye, një tjetër pistë e hetimit është vrasja me pagesë për shkak të konflikteve në biznes.
TRAZHGIM SOKOLAJ