Sefgjini i vetëm para gjykatës

TIRANË - Përballë gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Xhelal Elezit, të cilit i ra shorti dje për të gjykuar dosjen “Remzi Hoxha”, ku akuzohen katër ish-drejtues të Shërbimit Informativ Kombëtar, ka shumë të ngjarë që të jetë vetëm kreu aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, Arben Sefgjeni. Është fakt që procesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha do të zhvillohet me kafazin bosh, pasi ata është vendosur të ndiqen në gjendje të lirë dhe nëse drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk do dëshirojë të marrë pjesë në gjyq, procesi ka të ngjarë që të zhvillohet vetëm më avokatët. Përveç kryetatimorit të vendit, Sefgjinit, tre të pandehurit e tjerë e kanë të pamundur pjesëmarrjen në seancat gjyqësore. Sipas të dhënave të prokurorisë, rezulton se dy prej të pandehurve të çështjes janë jashtë Shqipërisë dhe organi hetimor e ka të pamundur të marrë kontakt. Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK-u Tiranë rezulton të jetë në Angli, duke e bërë tepër të vështirë punën e strukturave përkatëse për ekzekutimin e një urdhër-arresti që është lëshuar nga gjykata në procesin e parë hetimor dhe gjyqësor që u zhvillua për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Në Angli rezulton të jetë edhe Avni Koldashi, ish-shef i Bazës së Vëzhgimit në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë, i cili në procesin e parë përfitoi nga amnistia. Ndërsa i akuzuari i tretë, megjithëse ndodhet në Shqipëri, për një kohë të gjatë do e ketë të pa mundur pjesëmarrjen e tij në gjyq, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Budion Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë, prej më shumë se dy javësh ndodhet i shtruar në reanimacionin e spitalit nr. 5 në kryeqytet, si pasojë e një hemorragjie të rëndë cerebrale.