E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria jo vetëm cenon pavarësinë, po fyen dhe inteligjencën e gjyqtarëve”

Nga Manjola Bejleri

Të pretendosh se kjo gjë bëhet në të mirë të punës në gjyqësor, është fyerje jo vetëm për inteligjencën e gjyqtarëve, por edhe të kujtdo tjetër që aspiron për një shtet të së drejtës. Ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori, si tre pushtete të pavarur nga njëri-tjetri, duhet ta përzgjedhin dhe drejtojnë vetë administratën që punon për ta. Është pikërisht kjo varësi hierarkike që rrit eficiencën në punë të çdo pushteti.

Mendoni për një moment se çfarë do të ndodhte, nëse ky projektligj i hartuar nga Ministria e Drejtësisë do të bënte fjalë jo për administratën e gjyqësorit, por për administratën e Kuvendit. A do ta pranonte një ndërhyrje të tillë legjislativi nga ekzekutivi? Po nga gjyqësori? Kam përshtypjen (mendimi im personal), se ministrit të Drejtësisë nuk do të guxonte t’i shkonte nëpër mend një gjë e tillë e jo më ta hidhte për diskutim në një projektligj. Si mund të duken normale, kur veprime të tilla bëhen kundrejt pushtetit gjyqësor?

Nuk duhet të lejojmë që reforma në drejtësi të shfrytëzohet për të vartësuar gjyqësorin nga ekzekutivi. Nuk duhet të lejojmë që kjo reformë në drejtësi nga një debat i gjerë e konstruktiv, të shndërrohet në një luftë për pushtet, ku njeri kërkon të zhvatë e tjetri të ruajë atë që ka. Përpjekjet e gjyqësorit tashmë janë shtrirë jo vetëm për të rritur garancitë për një pushtet gjyqësor të pavarur me qëllim krijimin e shteti të së drejtës, por edhe për të ruajtur atë pavarësi që sanksionohej me ligjet në fuqi e që po “reformohen”. Ky front i zgjeruar i ka vështirësuar përpjekjet tona për të realizuar qëllimin që synojmë të arrijmë me reformën në drejtësi, duke krijuar përplasje parimore të koncepteve juridike për zhvillimin progresist të drejtësisë shqiptare e hendeqe në bashkëpunimin ndërmjet subjekteve e institucioneve, duke konsumuar kohë dhe energji të tepërta. Në fund, gjithçka është kosto në dhënien e drejtësisë, të cilën e paguan shtrenjtë shteti shqiptar dhe qytetarët e tij.

Bazuar në sa parashtruam më sipër, i kërkojmë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të pezullojë procedurën e shqyrtimit të projektligjit “Për administratën gjyqësore”, deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës kombëtare të Gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese të kërkesës me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të Neneve 37/2; 38/a,b të Ligjit Nr. 9877, Datë 18.02.2008 “Për Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Ky veprim do të mundësonte parandalimin e veprimeve që po kryhen në shkeljen e pavarësisë së Pushtetit Gjyqësor.

* Fjala e kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve, dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›