E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolta e nihilistëve

Nga David Brooks, “The New York Times”

Në vitin 1933, Franklin Roosevelt trashëgoi një krizë ekonomike. Ai kuptoi që puna e tij e parë ishte të kthente besimin, t'u jepte njerëzve një përshtypje që dikush ishte përgjegjës dhe se do të bëhej diçka për këtë gjë.

Kjo gjeneratë e udhëheqësve politikë po përballet me një situatë të ngjashme dhe, deri tash, tërësisht dhe në mënyrë katastrofike kanë dështuar të japin çfarëdo përshtypjeje autoriteti, në mënyrë që botës t'i jepet ndonjë arsye të besojë se ky shtet po qeveriset nga dikush. Në vend të kësaj, me refuzimin e paketës shpëtimtare të hënën, ata kanë keqësuar edhe më tej atmosferën psikologjike.

Gorge W. Bush ka mbetur tërësisht pa substancë, duke harxhuar ndikimin e tij te republikanët, njëlloj si te demokratët. Sekretari i Thesarit, Henry Paulson, është një njeri i mençur për paratë, por një legjislator i paaftë. Atij iu tha shumë e shumë herë që republikanët e Senatit nuk do ta përkrahin ligjin e propozuar të tij dhe përgjigjja e tij ishte të binte në dy gjunjë para kryetares, Nancy Pelosi.

Udhëheqësit e Senatit nga të dy partitë u pështjelluan nga vetë bisedat e tyre, por a i ra ndokujt në mendje që do të jetë e vështirë të miratohet një ligj, i cili përshkruhej si nxjerrje e Wall Street-it nga telashet? A ishte loçka e mediave Barney Frank shumë i zënë për të vërejtur ata 95 demokratë, të cilët po kundërshtonin ligjin e tij? Fjalimi i flaktë i Pelosit gjatë momentit kritik në fakt nuk e vrau këtë ligj, por a ishte nevoja të sillej si një mbledhëse fondesh për demokratët në momentin më të rëndësishëm të karrierës së saj?

Dhe, le të njohim përmbi të gjitha ata 288, të cilët votuan kundër, autorët e kësaj revolte të nihilistëve. Ata i treguan botës sesa shumë i urrejnë vetë udhëheqësit e tyre dhe ekspertizën e mbledhur të Thesarit dhe Federatës. Ata bënë një veprim populist për momentin dhe, nëse shteti rrëshqet në një rënie të thellë ekonomike, ata do të kenë kohën dhe kënaqësinë të shikojnë se si opinioni publik kthehet kundër tyre.

Republikanët e Senatit udhëhoqën rrugën dhe do të fajësohen më shumë. Ka qenë interesante të shikohen se si zbarkuan me devotshmëri në misionin e tyre që të shkatërrohet Partia Republikane. Jo shumë moti, ata udhëhoqën kryqëzatën anti-imigrim, e cila përzuri përkrahjen hispanike. Pastaj, gjithashtu, ata dëgjuan zërat më të zëshëm e më të inatosur në partinë e tyre, duke harruar ankthet e komplikuara, të cilat fshihen në shumicën e mendjeve amerikane.

Tani edhe njëherë ata kanë ngatërruar bisedat e radiove me realitetin. Nëse kjo ekonomi rrëshqet teposhtë, ata do të paraqiten në histori si Smoot-Hawley-t (të cilët ishin pjesërisht të përgjegjshëm për ashpërsinë e Depresionit të Madh) i shekullit 21. Me këtë votim, ata kanë marrë përsipër përgjegjësinë ndaj kësaj ekonomie dhe do të mbahen përgjegjës.

Goditjet afatshkurtra do të bien te John McCain, ndërsa stresi afatgjatë mbi ekzistencën e Partisë Republikane të tillë si e njohim. Kam folur me disa republikanë të Senatit gjatë ditëve të kaluara dhe ata admirueshëm besojnë në principet e tregut të lirë. Çka është trishtuese, është se ata ende mendojnë se është 1984. Ata ende mendojnë se kërcënimi më i madh vjen nga socializmi dhe liberalizmi Walter Mondale. Ata si duket nuk kanë vërejtur se si rrjedhjet e kapitalit botëror kanë transformuar ekonominë tonë.

Jemi duke jetuar në një kohë kur një tepricë e madhe e kapitalit shkrihet përreth botës, duke ndezur cikle të gurgullimit dhe dështimit. Kur kapitali vërshon në një sektor apo ekonomi, ai përmbyt me vete zakonet e esëllta të biznesit dhe shprehitë e disiplinës dhe vetëmohimit. Pastaj menaxherët e parave panikojnë dhe kjo dështon, duke dënuar si të drejtët, ashtu edhe të padrejtët.

Çka ne kemi nevojë në këtë situatë është autoriteti. Jo rregullore qeveritare të shtrënguara fort, por dora e sigurt dhe e fuqishme e ndonjë institucioni publik, e cila mund të mbrojë kundër ndikimeve korruptive të parave jo të pastra e pastaj të parandalojë infektimet shkatërruese kur krediti thahet.

Plani i Kongresit nuk ishte loçka e askujt, por ishte një përpjekje që të mbrohet ca autoritet. Ishte një përpjekje që të ngrihet psikologjia e tregjeve. Njerëzit nuk iu besojnë bankave; bankierët nuk i besojnë njëri-tjetrit. Ishte një përpjekje për të adresuar krizën e autoritetit në Uashington. Së paku do të mund të kishte stabilizuar situatën, në mënyrë që më vonë të bëheshin të mundura reformat fondamentale të arkitekturës financiare botërore.

Por, të 288 anëtarët e Senatit, të cilët kanë votuar kundër, kanë përshpejtuar rënien e lirë të psikologjisë globale dhe tani kemi një krizë të autoritetit politik përmbi krizën e autoritetit financiar.

E vetmja gjë tani është të përpiqemi sërish që të shpëtojmë shpëtimin. Nuk ka kohë që të gjejmë një paketë të re, andaj plani i Kongresit duhet të votohet edhe një herë të enjten, këtë herë me shtesa, të cilat do të ndryshonin perspektivat politike përbrenda. Udhëheqësit duhen të shtojnë provizionet, të cilat do të frenonin çmimet e shtëpive dhe do të ndihmonin mbajtësit e kredive. Martin Feldstein dhe Lawrence Lindsey kanë propozime të mira të atij lloji që mund të çojnë deri te një koalicion i shumicës.

Lehtësimi i rregullave për depozitat e sigurimeve do të ishte një gjë e mirë gjithashtu. Nëse kjo nuk ndodh, ka shanse që bota të hyjë në kohëra shumë të vështira ekonomike (evropianët, si duket, as nuk kanë filluar t'ia pranojnë vetes borxhin e tyre helmues), por gjithashtu në kohëra të vështira politike.

Shekulli amerikan u krijua nga udhëheqja amerikane, e cila tash për tash na mungon edhe më shumë sesa kredia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›