Mediu në parlament: Votoni që sot imunitetin tim
Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes i akuzuar si i implikuar për shpërthimin në Gërdec ka kërkuar sot para kuvendit, heqjen e imunitetit. Ai është shprehur para deputetëve: “Meqë opozita kërkon me ngulm heqjen e imunitetit tim, dhe meqë mazhoranca ka shprehur po të njëjtin qëndrim unë ftoj që të votohet që sot heqja e imunitetit tim. Nuk kemi ç’të presim më”.
Ndërkohë kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se heqja e imunitetit do të vazhdojë sipas procedurave.
“Unë i kam kërkuar grupeve që të përshpejtojnë procedurën e heqjes së imunitetit dhe menjëherë pas heqjes së imunitetit të Mediut do të vazhdojmë për heqjen e imunitetit të të gjithë deputetëve” – tha Topalli.
Pas fjalës së Topallit në sallë ka pasur reagime edhe nga deputeti, Spartak Ngjela. Ai ka kërkuar heqjen sa më shpejt të imunitetit të Mediut. “Do të bëhet më shpejt nga ç’mendoni ju por do të ndjekim procedurat sipas ligjit 118”- është kundërpërgjigjur Topalli.
Ndërkohë që deputeti Taulant Balla i është kundërvënë kryetares së kuvendit duke i thënë se: “Nëse hiqet imuniteti hetimet do të shkojnë te Berisha. Kjo është edhe arsyeja e zvarritjes së procedurave. Nëse Mediu shkon në gjykatë, do të jetë i detyruar të japë përgjigje për gjithë ngjarjen, dhe të gjitha rrugët të çojnë te Berisha, pasi i ashtuquajturi Xhoni, i ndjeri baxhanak i Berishës nuk shkonte në Gërdec për një copë bukë. Ai duhet të japë përgjigje për takimet me Delijorgjin dhe i kërkoj policisë të kontrollojë qelinë e të pandehurit për celular pasi omunikimet mes Berishës dhe Delijorgjit vazhdojnë” – tha Balla.
Ndërkohë Mediu në fjalën e tij ka vazhduar të heqë përgjegjësitë e tij nga ngjarja e Gërdecit. “Është thjesht një sulm politik dhe intrigë. Jam plotësisht dakord që të dorëzoj imunitetin. Heqja e imunitetit nuk shton asgjë të veçantë më shumë se ajo që i kam vënë në dispozicion prokurorisë”- tha Mediu.
“S’kam asnjë lidhje me Delijorgjin, nuk kam me të asnjë marrëdhënie siç mund të kenë disa” – vazhdoi Mediu. “Për mua procedurat e parlamentit kanë pak rëndësi për të mos thënë aspak. Kërkoj gjithë kuvendit të më heqi imunitetin që sot. Mund të bëni raport për ata deputetë që duan të vendosin drejtësi për këtë ngjarje”. Piro Lutaj, deputet i QLD-së, në funksionin e anëtarit të komisionit për sigurinë kombëtare është shprehur se “fajtorë për ngjarjen e Gërdecit janë Berisha dhe Mediu”.
“Edhe pas ngjarjes së Gërdecit brenda strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes vazhdojnë telashet e mëdha përsa i përket administrimit dhe asgjësimit të municionit. Kemi sot një situatë alarmante në këë ministri. Kjo është reforma e forcave të armatosura që bëri qeveria” – tha Lutaj.