Gjirokastër, telefonatat në polici, 40% më shumë se vitin e kaluar
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, aktualisht numri i telefonatave të qytetarëve që mërijnë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër është rritur me 40%. Në këtë mënyrë vazhdon të jetë i konsiderueshëm numri i qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë pranë uniformave blu në lidhje me problematika të cënimit të rendit dhe sigurisë publike gjatë jetës së përditshme.
Shefi i sallës operative, Arben Nikolla tha se: “fluksi më i lartë i telefonatave regjistrohet kryesisht gjatë paradites dhe orëve të mbrëmjes. Problematika për të cilën qytetarët kërkojnë mbështetjen nga policia janë nga më të ndryshmet që nga zënkat për motive të dobëta, vjedhjet, përplasjet për shkak të pronësisë etj. “Në pjesën më të madhe të rasteve policia ka arritur të zgjidhë problemet për të cilat na është kërkuar ndihmë duke shmangur në disa raste edhe situatat e rënda”.
Ndërkohë efektivat e sallës operative në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kërkojnë nga qytetarët minimizimin e telefonatave false. “Ne disa raste, pohon Nikolla, në sallën operative mërijnë edhe telefonata false çka bën që efektivat e policisë të shpenzojnë energjitë dhe kohën për ngjarje të ndryshme të sajuara nga telefonuesit”.
Shmangja e rasteve të tilla do të rriste nivelin e gatishmërisë së efektivave blu në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës për të qenë sa më afër komunitetit të banorëve kur kërkohet ndihma e tyre.