PS: Qeveria sgaranton dot sigurinë ushqimore
Tiranë- Partia Socialiste ka kërkuar sot nga qeveria më shumë përgjegjësi në kontrollin e cilësisë dhe sigurisë të produkteve ushqimore në tregjet tona.
Nënsekretari i PS-së, Ervin Bushati ka deklaruar sot gjatë një komunikimi për mediat se qeveria “Berisha” nuk garanton dot standarde minimale në sigurinë e prodhimeve ushqimore që hidhen sot në tregun shqiptar. Prezantimi i disa standardeve minimale në sigurinë ushqimore bëhet urgjente, sidomos në industrinë e mishit dhe atë të bulmetit, sipas raportit të Bankës Botërore, mbi gjendjen e bujqësisë shqiptare.
“Rreziqet për shëndetin publik nga siguria ushqimore janë veçanërisht të larta, sepse qeveria Berisha nuk vendos rregull në tregun e produkteve ushqimore. Pasojat e funksionimit të mangët të strukturave shtetërore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen sigurisë ushqimore, dhe njëkohësisht shkatërrojnë shanset e ekonomisë rurale për të qenë konkurruese në treg. Mungesa e zbatimit të standardeve në sigurinë ushqimore sjell rrezik infeksioni dhe kaos në sektorin e këtyre prodhimeve”- tha ai.
Partia Socialiste, sipas Bushatit tërheq vëmendjen e qeverisë për fshatin dhe ekonominë rurale, sepse mungesa totale e politikave të zhvillimit dhe të orientimit, kanë lënë në udhëkryq dhe në vuajtje njerëzit që punojnë dhe jetojnë në zonat rurale. E ardhmja në fshat dhe në bujqësi, ashtu si siguria ushqimore, është në rrezik konstant sepse shteti nuk ofron një strategji të plotë dhe efikase se si të ndihmohet fshati shqiptar, por vetëm shpërndan demagogji të pafund elektorale.
Programi i ri i Partisë Socialiste, sipas tij ka në qendër të tij bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe përmirësimin e jetës në fshatin shqiptar.