Trafikoi fëmijët e tij, arratiset nga izolimi i dënuari

Agim Xhambazi, 48 vjeç, ishte dënuar në Shkallën e Parë me 15 vite burg dhe priste vendimin e Apelit për akuzën e trafikut të fëmijëve
U arratis nga dritarja e pasme e shtëpisë së tij, ndërsa SHKB-ja nis hetimin ndaj tre policëve përgjegjës
TIRANË- I dënuari me 15 vite burg për trafikim fëmijësh, ikën nga arresti i shtëpisë kur ruhej nga tre policë të Forcave Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë, (FNSH). Agim Xhambazi, 48 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, iu "la opingat" dje tre efektivëve të FNSH-së që e ruanin, në banesën e tij në lagjen Allias të kryeqytetit. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes së mësipërme, kur personi që priste vendimin e formës së prerë u arratis, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nisi hetimet në ngarkim të tre punonjësve të Repartit të Forcave Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë që ishin caktuar për ruajtjen e tij. Ngjarja ndodhi dje paradite, kur Xhambazi ka dalë nga dritarja e shtëpisë së tij në pjesën e pasme të saj që nuk ruhej me efektivë policie duke ikur nga banesa. Mungesa e tij në banesë është vënë re gjatë kontrollit të policëve në banesë gjatë ndërrimit të turneve. Menjëherë i larguari është shpallur në kërkim, ndërsa efektivët e FNSH-së janë pezulluar, ndërsa SHKB-ja ka nisur hetimin.
Nga të dhënat mësohet se Agim Xhambazi është arrestuar në shtetin grek më 10 prill të vitit 2008, pas denoncimit që kishte bërë bashkëshortja e tij L. Xhambazi se ky i fundit e kishte shfrytëzuar për të lypur në shtetin fqinjë, bashkë me fëmijët. Autoritetet e drejtësisë shqiptare e kishin shpallur 48- vjeçarin në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda fillimisht kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg, duke e akuzuar për trafik të fëmijëve. Sipas të dhënave të policisë, Xhambazi nëpërmjet kalimit të paligjshëm të kufirit në vitin 2001, ka kaluar bashkë me pesë fëmijët e tij dhe gruan në Greqi, në kryeqytetin helen, në Athinë. Kalimi i kufirit është bërë në rrugë tokësore për disa ditë nga fëmijët dhe çifti Xhambazi, ku me të mbërritur në Athinë janë sistemuar në një shtëpi me qira, ku menjëherë i ka detyruar fëmijët dhe gruan të dalin për të lypur në rrugë e kryeqytetit grek.
Për shtatë vjet Xhambazi ka detyruar të pesë fëmijët dhe bashkëshorten e tij L. Xhambazi të kërkojnë lëmoshë në rrugët e Athinës. Në fund të vitit 2007 fëmijët dhe bashkëshortja kanë mundur t'i ikin Agim Xhambazit, për t'u kthyer në Shqipëri. Me t'u kthyer në Shqipëri, pas tyre ka ardhur edhe babai i fëmijëve i pandehuri Xhambazi duke tentuar sërish nën presionin e dhunës ta rikthejë familjen në Greqi për të lypur. Gruaja e të arratisurit nga arresti shtëpisë ka kërkuar ndihmën organeve të policisë e ndihmuar edhe nga disa organizma që mbrojnë të drejtat e njeriut në vendin tonë, ku ka denoncuar bashkëshortin "tutor", që e kishte detyruar bashkë me fëmijët të lypte në Athinë. Në shkurt të vitit 2008, L. Xhambazi ka kryer edhe kallëzimin penal ndaj bashkëshortit të saj, i cili më pas është arrestuar në Greqi me qëllim për t'u ekstraduar në vendin tonë. Agim Xhambazi është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 15 vjet burg, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që çështja në ngarkim të tij ka kaluar në Gjykatën e Apelit.