Kapet hajduti i ikonave të kishave

Bujar Kalemi, 35 vjeç, nga Tepelena u arrestua dje në mesditë nga komisariati nr.1, ndërsa kërkohej prej disa muajsh nga policia
I arrestuari dyshohet për vjedhjen e së paku dhjetë kishave në Korçë Gjirokastër, Përmet e Delvinë
TIRANË- Arrestohet në kryeqytet, i dyshuari për vjedhjen e ikonave të kishave të Korçës. Autori i dyshuar i vjedhjes së dhjetë kishave dhe xhamive në disa rrethe në jug të vendit u arrestua dje nga forcat e Policisë së Tiranës, ndërsa ishte shpallur në kërkim që në dhjetor të vitit 2009, si i dyshuar për disa vjedhje të objekteve të kultit në vend. Bujar Kalemi, 35 vjeç, banor i fshatit Zhapokikë në Tepelenë, u arrestua gjatë ditës së djeshme dhe ishte person i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Korçës, pasi nga hetimet e strukturave të Policisë dyshohet që të jetë së paku autor i vjedhjes së dhjetë objekteve të kultit, vjedhje të realizuara në Korçë, Kolonjë, Delvinë dhe Gjirokastër. Nga burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit, mësohet se 35- vjeçari Kalemi u prangos dje rreth orës 14 e 30 minuta nga efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 1 në kryeqytet, ndërsa për të kishte të dhëna se qëndronte prej kohësh në Tiranë, pas krimeve ndaj objekteve të kultit.
Kalemi dyshohet se vjedhjen e parë e ka realizuar në 27 qershor të vitit që kaloi, ku bëhet fjalë për vjedhjen e Kishës së Shën Gjergjit në Ersekë dhe që dyshohet se ka marrë një sasi lekësh. Në reagimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë Qarkut Korçë, thuhet se 35- vjeçari nga Tepelena pesë prej vjedhjeve të objekteve të kultit i ka kryer në muajin dhjetor të vitit 2009 në Korçë dhe në Ersekë. Më gjashtë dhjetor të vitit 2009, dyshohet se ka vjedhur kishën e Shën- Thanasit që ndodhet në lagjen numër tre të qytetit të Korçës, ku rezulton të ketë vjedhur rreth 12 mijë lekë të rinj. Po në këtë lagje, tre ditë më pas dyshohet të jetë autor i vjedhjes së kishës së Shën- Adas, ku janë marrë rreth pesë mijë lekë të rinj. Ndërkohë, në fund të muajit dhjetor, në shënjestër të Bujar Kalemit për t'u vjedhur kanë qenë përsëri objektet e kultit, më datë 26 dhjetor dyshohet të ketë vjedhur një sasi lekësh në kishën e Shën- Kollit që ndodhet në fshatin Kamenicë të Delvinës, ndërsa vjedhja e radhës që dyshohet të ketë realizuar Kalemi është ajo e Xhamisë së fshatit Floq në rrethin e Korçës.
Nga burimet zyrtare të Policisë mësohet se i arrestuari, po gjatë muajit dhjetor, dyshohet të jetë autor edhe i vjedhjes së Kishës së "Ngjitja e Zotit në Qiell", që ndodhet në rrethin e Kolonjës, ku përsëri objekt ka qenë arka e lekëve të kishës. Policia e Korçës pohoi dje se Kalemi dyshohet të ketë vjedhur dy herë kishën e fshatit Kostan që ndodhet në Delvinë. Por gjeografia e vjedhjeve të 35- vjeçarit dyshohet të jetë më e madhe se në rrethet e Korçës dhe Delvinës dhe nga hetimet dyshohet të jetë edhe autori i dy vjedhjeve të Kishave në Gjirokastër. Që nga Qershori i vitit të kaluar, Kalemi kishte arritur t'i shmangej arrestimit të policisë dhe vetëm dje në drekë u bë i mundur prangosja e tij, i cili akuzohet për veprën penale të vjedhjes së pasurisë. Bujar Kalemi iu dorëzua Drejtorisë së Policisë Korçë dhe mësohet se po hetohet nëse është i përfshirë në vjedhje të tjera.
I arrestuar
Bujar Kalemi, 35 vjeç, nga Tepelena
Objektet për të cilat dyshohet
Kisha e Shën Thanasit në Korçë, e vjedhur me 6 dhjetor2009
Kisha e Shën Ana në Korçë, e vjedhur me 9 dhjetor 2009
Kisha e Shën Kollit në Kamenicë të Delvinës, e vjedhur me 26 dhjetor 2009
Xhamia e fshatit Floq në Korçë, e vjedhur me 28 dhjetor 2009
Kisha e Shën Gjergjit në Ersekë e vjedhur me 26 qershor 2009
Kisha "Ngjitja e Zotit në Qiell" në Kolonjë, e vjedhur me 26 dhjetor
Në periudha të ndryshme dyshohet për vjedhjen e 3 kishave në Gjirokastër e Delvinë