E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përmbyturit: Qeveria po na merr paratë


Banorët e Shkodrës kundër VKM-së që një pjesë të donacioneve për të përmbyturit ia kalon rregullimit të rrugëve

SHKODËR- Banorët e përmbytur dy herë në rrethin e Shkodrës shprehen të pakënaqur nga vendimi i Këshillit të Ministrave, sipas të cilit një pjesë e fondit të mbledhur nga donacionet për familjet e prekura nga përmbytjet në veri të vendit do të shkojë në projekte rrugore, si dhe ndërtim argjinaturash të lumenjve. Sipas tyre, ky vendim është absurd pasi donacionet janë dhënë për banoret e përmbytur dhe jo për ndërtimin e argjinaturave. "Nuk na interesojnë argjinaturat. Jemi mbyt dy here, kemi akoma ujë brenda dhe marrim bukën me listë. Të na japin lekët . Jo se po i paguajnë të gjithë dëmet por së paku 1/3 e tyre sa për të kaluar radhën",- shprehet një banore e përmbytur.

Ndërsa Remzi Myrtja banor tek ish "zukthat" në qytetin e Shkodrës shprehet: "Nuk është e drejtë që paratë të shkojnë për ndërtim argjinaturash pasi ato janë dhënë për ne të përmbyturit .Shteti t'i përgjigjet vetë rregullimit të argjinaturave se qysh kur kanë marrë shtetin nuk kanë bërë asgjë për këto argjinatura. Po prishin bunkerët për me i hedhë në ujë se nuk kanë argjinatura".
Seit Dibra, banor në rrugën Karvanej, banesa e të cilit është përmbytur dy here pohon se "ka vetëm fjalë dhe askush nuk na ndihmon. Kam marrë veç një çantë ushqime ndërsa shtëpia po bie brenda se është çarë nga uji. Nuk na intereson argjinatura por duam të na ndihmojë shteti për shtëpitë se po na zënë brenda".

Me një vendim te posaçëm, qeveria shtoi buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Punëve Publike, në mënyrë që të menaxhojnë situatën e krijuar nga përmbytjet. Kështu në bazë të këtij vendimi, në zonën e Shkodrës për vitin 2010 do të ndërhyhet në thellimin e grykëderdhjes së Bunës dhe do të rregullohen argjinaturat në zonën e Velipojës, Dajçit dhe Gurit te Zi të, cilat pas përmbytjeve në shumë pjese kanë dalë jashtë funksionit të tyre. A. Dushi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›