Një cigare djeg gjysmën e magazinës
TIRANE - Një cigare e hedhur nga pakujdesia në një copë bukëpeshku, ka rrezikuar dje të kthente në hi magazinën e Polisterolit të kompanisë "Izo Pack", që ndodhet përballë Doganës në Tiranë. Ndërhyrja në kohë e dy zjarrfikëseve ka mundësuar që brenda 6 minutash zjarri të shuhej dhe në këtë formë dëmi i pritshëm që mund të shkaktohej në rast të përhapjes së flakëve, është reduktuar në vetëm 500 mijë lekë të vjetra. Ngjarja ndodhi dje në magazinën e kompanisë në pronësi të Gazmend Nezës, që ndodhet në rrugën e Durrësit, e tejmbushur me materiale ndërtimi termoizoluese, të cilat janë të predispozuara të marrin flakë shumë shpejt. Burime nga policia thanë se ngjarja paraprakisht u konsiderua alarmante dhe shërbimet e rendit e zjarrfikëset u nisën brenda pak sekondash në vendngjarje, kjo për arsye se zjarri dukej i përmasave të mëdha. Por flakët e tilla janë shkaktuar nga lëndët plastike dhe izotermike që po digjeshin, të cilat krijojnë tym dhe flakë të fuqishme, por që janë shuar në një kohë rekord. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Zjarrfikëseve, Dilaver Laçi, paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një cigare që është hedhur nga pakujdesia e një punëtori, në një copë bukëpeshku.