E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafikonin vajza nga Kina në Shqipëri, Goditet në Durrës grupi që i shfrytëzonte për prostitucion

Policia në Durrës ka shkatërruar një grup të strukturuar kriminal që rekrutonte vajza nga Kina për t’i shfrytëzuar për prostitucion në vendin tonë. Policia arrestoi në zonën e plazhit shtetasin Guangtai Lin, anëtar i grupit, i akuzuar për veprën penale shfrytëzim prostitucioni.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim për veprën trafikim të qenieve njerëzore një nga organizatorët dhe menaxherja e grupit. Gjithashtu është nisur procedimi penal për veprën e prostitucionit për 7 vajza aziatike.

Sipas policisë në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar,  pasi i rekrutonin vajzat në Kinë, këta persona i dërgonin më pas në Shqipëri, ku siguronin apartamente dhe makina me qira për kryerjen e aktivitetit të prostitucionit. 

Hetimet 4 javore zbuluan se organizatori i grupit menaxhonte paratë që fitohej nga aktiviteti I paligjshëm dhe më pas ia dërgonte menaxheres që jeton në Bahrein, e cila bënte ndarjen e parave. 

25% të fitimit i merrte për vete, 35% i merrte grupi që drejtonte aktivitetin kriminal nga Vietnami dhe 40% i merrnin vajzat e rekrutuara, si pagesë, në bankë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime për vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera. Hetimet i kanë kaluar Prokurorisë.

RTSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›