Adoleshentja gjendet e vdekur në shtëpi
BULQIZË - Një gjimnaziste është gjetur e vdekur dje në banesën e saj në Bulqizë. Ngjarja është zbuluar pak pas mesditës kur prindërit e gjimnazistes janë kthyer në banesë dhe kanë gjetur pa jetë 17-vjeçaren me iniciale M.Ll. Menjëherë prindërit e vajzës kanë lajmëruar policinë në lidhje me ngjarjen. Shërbimet e rendit të cilat shkuan në banesën e viktimës thanë se shkaku i vdekjes së vajzës është ende mister për shkak se nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës. Hetuesit kanë kërkuar në banesë për praninë e pakove me lëndë helmuese apo ambalazhet e tyre megjithatë deri në këto momente rrethanat e vdekjes së vajzës 17-vjeçare janë krejtësisht të paqarta.
Depresioni, i jep fund jetës me helm i riu
FIER - Një i ri i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Fierit rreth orës 15:00 të ditës së djeshme. Viktima mësohet se është Amarildo K., 25 vjeç. Burime zyrtare nga uniformat blu lokale thanë se, kanë marrë një telefonatë nga Spitali Rajonal i rrethit Fier, me anë të së cilës është njoftuar se, ka mbërritur një person i vdekur. Me marrjen e këtij njoftimi, efektivët e Komisariatit të Fierit kanë shkuar menjëherë pranë ambienteve të këtij spitali. Nga hetimet e para është bërë e ditur se viktima është 25-vjeçari Amarildo K., banues në Fier. Sipas të dhënave nga policia mësohet se, viktima i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit. Ai është vetëhelmuar gjatë kohës që ka qenë i vetëm në banesë.
Maskat grabisin argjendarinë në mes të qytetit
FIER - Dy persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur një argjendari në qytetin e Fierit pasditen e djeshme. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy grabitësit kanë hyrë në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë të gjitha paratë e grumbulluara gjatë xhiros së ditës si dhe një sasi të konsiderueshme bizhuterish. Sipas vlerësimeve paraprake të policisë, vlera e mallit të vjedhur dyshohet se shkon deri në 2 milionë lekë. Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, policia është nisur në drejtim të vendit ku ndodhi grabitja, por autorët janë larguar duke arritur ti shpëtojnë arrestimit. Policia ka bërë hetime në vendin e ngjarjes ndërsa autorët e ngjarjes janë ende të panjohur.
Zjarrfikësi hero, Topi ngushëllon familjen
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Edmond Moçka, i cili humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës. "Më lejoni që në këtë ditë tepër të trishtueshme për ju, në këtë fatkeqësi të pashoq, t’ju shpreh sadopak ngushëllimet e mia më të sinqerta. Sakrifica dhe heroizmi në krye të detyrës për të shpëtuar tre fëmijë në një banesë të përfshirë nga flakët të zjarrfikësit Edmond Moçka, do të jenë të pashlyeshme në kujtesën tonë dhe të të gjithë shqiptarëve,” - thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Topi. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur 44-vjeçari ishte duke u munduar që të shpëtonte tri fëmijë, që kishin ngelur të bllokuar në banesën e tyre, ku kishte rënë zjarr.
13 Maj 2010