E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimi, dërgohet në Gjermani turku i arrestuar për trafik droge



TIRANË - I kërkuar në Gjermani për trafik droge, Policia e Shtetit ka ekstraduar një qytetar gjermano-turk. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se, Mahmut Goek, 29 vjeç, është nisur dje rreth orës 12:30 në drejtim të Berlinit, ku do të përballet me Drejtësinë gjermane për akuzat e ngritura ndaj tij. Ai është nga qyteti Biberach, Gjermani dhe në vitin 2005, për rreth 10 muaj ka bërë transportimin e lëndëve narkotike nga Holanda në Gjermani. Emri i tij ka dalë gjatë një hetimi të bërë nga Policia gjermane për trafikun e lëndëve narkotike. Sipas burimeve zyrtare nga Policia shqiptare, ndaj tij, zyra e Prokurorit të Ravensburgut kishte lëshuar një urdhër arresti nr. 6Gs 49/05, në datën 25 tetor 2005, duke e shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin e lartpërmendur, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike“ disa herë, e kryer në bashkëpunim. Siç është bërë e ditur, i ekstraduari i djeshëm, nga periudha janar deri në tetor të vitit 2005, është marrë me shitjen e sasive të mëdha të Cannabisit në Biberach, Gjermani. Lëndën narkotike ai e siguronte së bashku me një tjetër shtetas gjerman në Holandë. Gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Tiranës mësohet se dhe vetë i arrestuari ka qenë pro ekstradimit të tij në Gjermani, duke kërkuar që të dërgohet në vendin e tij për t’u përballur me akuzat. Sipas dosjes me numër 603, i arrestuari me kombësi turke, por shtetësi gjermane, Gok, prej disa vitesh kishte gjetur strehim në Shqipëri pasi ishte larguar nga vendbanimi i tij ngaqë autoritetet gjermane e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat e mësipërme. Por, vetëm pak muaj më parë, me ndihmën edhe të autoriteteve gjermane, është bërë i mundur identifikimi i vendit të strehimit të tij në Tiranë, ku është organizuar arrestimi i tij mëngjesin e datës 19 shkurt 2010. Mësohet se i arrestuari nuk ka bërë ndonjë rezistencë, duke iu dorëzuar Policisë shqiptare, e cila kishte hyrë me urdhër të Prokurorisë brenda ambienteve ku banonte shtetasi Mahmud Gok, të cilit më pas iu vendosen prangat.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›