E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, kërkohen 53 vite burg për gjermanët

Pretenca/
Prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkoi dënimin e tre gjermanëve dhe një shqiptari, që tentuan trafikimin e 40 kg heroinë

Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas disa muajsh hetim gjyqësor, për grupin e gjermanëve të arrestuar në një operacion antidrogë në muajin maj të vitit të kaluar, kur policia bllokoi 40 kg heroinë dhe arrestoi edhe dy shqiptarë të dyshuar si pronarët e vërtetë të drogës.


Për Daniel Englert, i cilësuar si organizatori i trafikut, u kërkua 14 vite burg. Për çiftin Rexhina e Franc Kiashek ( Reggina, Franz Kiascek), përfaqësuesi i akuzës, kërkoi nga 12 vite burg për secilin.


Ndërsa për personin e katërt, shqiptarin nga Fieri, Albert Pëllumbajn, u kërkua 13 vite burg, i dyshuar bashkë me të akuzuarin tjetër, Zaim Tafa, si bashkëpronarët e sasisë prej 40 kilogramë heroinë e bllokuar nga policia. Për Tafën, organi i akuzës së Krimeve të Rënda, ka ndarë procesin penal, për shkak se ai kërkoi që të mos gjykohej nëpërmjet procedurave të shkurtuara, ashtu siç kishin kërkuar të akuzuarit e tjerë.


Sipas pretencës së prokurorisë, me ne datë maj të vitit të kaluar, në Pikën e Kalimit Kufitar në Kakavijë të Gjirokastrës, janë sekuestruar 40 kg lëndë narkotike, të tipit heroinë, e fshehur në automjetin e markës "Peugeot"me targa të huaja, DON PA-179, që drejtohej nga i pandehuri, Franz Kiacsek.


Kjo sasi, sipas akuzës, ishte e destinuar për t'u dërguar nga Greqia, Itali dhe më pas në Gjermani. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Daniel Englert, është marrë me organizimin e trafikimit të kësaj sasie lënde.


Ai pasi ka kontaktuar më parë në Gjermani me të pandehurit Franc dhe Rexhina Kiashek, kanë rënë dakord mes tyre që me 1 maj 2009 të takoheshin në Shqipëri. I pandehuri Daniel Englert, me 1 maj 2009, ka mbërritur në shqipëri me avion, nëpërmjet aeroportit të Rinasit.


Në të njëjtën datë, në orët e para të mëngjezit nëpërmjet portit të Durrësit, kanë arritur në Shqipëri edhe bashkëpunëtorët e tij të cilët do bënin transportimin e lëndës narkotike nga shqipëria për në gjermani të pandehurit, të nesërmen, pasi ata kanë ngarkuar mallin dhe janë nisur për në Kakavijë, janë arrestuar në këtë pikë kufitare.


Më pas policia ka arrestuar, Pëllumbajn, që dyshohet se ka ngarkuar mallin, ndërsa më vonë janë arrestuar dy të akuzuarit e tjerë, Daniel Englert si dhe Zaim Tafa i akuzuar si personi kryesor i kësaj linje të trafikut të drogës.


Sipas prokurorisë, hetimi ka provuar tërësisht trafikun e drogës, nga këta persona që për shkak të gjykimit të shkurtuar pritet të përfitojnë së paku një të tretën e dënimit të mundshëm.


Të akuzuarit
Daniel Englert 14 vite burg
Franc Kiascek 12 vite burg
Regina Kiascek 12 vite burg
Albert Pëllumbaj 13 vite burg

**************


Arrestohet shpërndarësi i drogës, kapet me heroinë

TIRANË- Një i ri i dyshuar si shpërndarës heroine u arrestua nga Policia e kryeqytetit, pasi kapet në flagrancë me një sasi heroinë të ndarë në 20 tableta. Nertil Murrja, 19 vjeç me banim në Tiranë, u prangos të hënën rreth orës 15 e 30 minuta në rrugën e "Barrikadave", pranë shkollës "Lidhja e Prizrenit", pasi iu gjet sasia prej shtatë gramë lëndë e dyshuar si heroinë.


Nga informacionet zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se 19 vjeçari e kishte ndarë lëndën narkotike në 20 tableta me qëllim për ta shitur, në disa zona të kryeqytetit. Mësohet se i riu është mbajtur për më shumë se tre muaj nën hetim dhe u arrestua në flagrancë, pas informacioneve që ky i fundit merrej me shitje të lëndëve narkotike.


Sipas policisë, Murrja dyshohet se vepronte duke shpërndarë lëndë narkotike, në disa zona në Tiranë, si në Kinostudio, rrugën e Elbasanit dhe në rrugën e Barrikadave, ndërkohë që dyshohet se bashkëpunonte edhe me persona të tjerë për të realizuar shitjen e drogës.


Murrja pas arrestimit është pyetur nga oficerët e Seksionit Kundër Lëndëve Narkotike në Policinë e Tiranës për të zbardhur skemën e shpërndarjes së heroinës që iu është sekuestruar.


Ndërkohë policia ka nisur hetimet për të zbardhur skemën e shpërndarjes së lëndës narkotike si dhe emrat e personave ët tjerë që kanë bashkëpunuar me 19 vjeçarin nga Tirana. Hetimet ndaj të arrestuarit do të vazhdojnë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›