Vazhdon shtyrja e gjyqi për bandën e Cërrikut
CËRRIKU
TIRANË- Procesi gjyqësor për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e 14 të tjerëve në vitin e mbrapshtë 1997 në qytetin e Cërrikut u shty sërish për javën e ardhshme nga togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Shkak për moszhvillimin e seancës, e cila ishte planifikuar për të vazhduar mëngjesin e djeshëm, u bë mungesa në sallën e gjyqit e avokatit të të pandehurit Entel Gashi në këtë proces dhe mosnjohja me dosjen e akuzës të avokatit mbrojtës të Roland Xhepaxhiut.
Mbrojtës i cili pretendoi se prokurori nuk ia kishte vendosur në dispozicion materialet hetimore dhe nuk kishte se çfarë të kërkonte gjatë seancës së djeshme solli edhe një tjetër shtyrje të procesit gjyqësor. Në këto kushte, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi të pranojë kërkesën e avokatit për njohjen me aktet e hetimit dhe të shtyjë seancën për javën tjetër.
Sipas prokurorisë, në procesin gjyqësor të bandës së Cërrikut, nëntë të pandehurit: Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, banorë të Cërrikut dhe zonës për rreth, të arrestuar gjatë vitit të kaluar, akuzohen nga prokuroria e Krimeve të Rënda për kryerjen e veprës penale të vrasjes në rrethana të cilësuara, e kryer në bashkëpunim në gjashtë raste dhe vrasjes në rrethana të cilësuara, e kryer në bashkëpunim, por e ngelur në tentativë ndaj 14 ish-efektive të policisë.