Zbulohen e kapen hajdutët e makinave
OPERACIONI/ Policia arrestoi dy banorë të Durrësit që grabisnin automjetet duke iu thyer xhamat
DURRËS - Operacioni i koduar policor vë në pranga 2 hajdutë makinash, operacion i cili nis pas disa shqetësimeve të paraqitura në polici. Denoncimet e kryera raportuan për thyerje e vjedhje të disa makinave radhazi në lagje të ndryshme të qytetit në orët e vona të natës. Specialistët e seksionit të luftës kundër dëmtimeve tëpronës arritën të kapin në flagrancë një grup me 2 vetë, të cilët kishin kryer vjedhje sistematike të mjeteve luksoze në Durrës. Ata kishin dëmtuar në shumë raste disa mjete, duke u thyer xhamat dhe duke marrë gjërat që ndodheshin në brendësi të tyre, si: dokumentet e lekët që gjenin. Qenë orët e darkës kur, sipas sinjalizimit të marrë , një grup i specializuar prangosi në flagrancë 21-vjeçarin Emiljan Korça dhe një 17-vjeçar, anëtar i bandës dyshe. Ata u arrestuan në momentin kur, të pajisur me maska dhe mjete të specializuara për “profesionin” që kishin zgjedhur, po tentonin të vidhnin një autoveturë “Benz” me targa të huaja CL 68867. Me këtë arrestim u finalizua edhe operacioni “Trekëndëshi”. Në kohën e prangosjes policia ishte vendosur në tri pika kyçe, duke mos i lejuar keqbërësit të largoheshin. Grupi i tyre vepronte zakonisht në orët e mbrëmjes. Sipas policisë, atyre u janë dokumentuar edhe tri vjedhje të tjera të kryera me të njëjtin mekanizëm: dy automjete tip “Benz” dhe një fuoristradë, ku janë vjedhur gjashtë aparate telefoni celular, veshje te ndryshme, shuma prej 200 eurosh, një aparat fotografik, 10 palë çelësa automjetesh të vitprodhimeve te fundit, si dhe një sasi bizhuterish.