Trafiku i fëmijëve, ekstradohet i dënuari

Ziko Lena u ekstradua dje nga Interpoli, pasi në vitin 2006 u dënua nga Krimet e Rënda me 21 vite burg I ekstraduari akuzohej se ndihmoi një çift të shisnin fëmijën tek një mjek grek për 5 milionë lekë të vjetra
TIRANË- Ekstradohet nga Greqia Ziko Lena, njëri prej të dënuarve nga drejtësia shqiptare për trafik të fëmijëve, kryer në bashkëpunim. Lena 60 vjeç nga Pogradeci, u ekstradua dje nga zyra Interpol e Tiranës, ndërsa rezultonte në listën e personave në kërkim ndërkombëtar, pasi në prill të vitit 2006, është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, me 21 vjet burg për veprën penale të "trafikimit të fëmijëve", pasi është shpallur fajtor për trafikimin e foshnjave nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.
Lajmi për mbërritjen të dënuarit, u bë dje i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas njoftimit të Policisë, Lena është shpallur fajtor për trafikimin e të miturve në mungesë. Në këtë kohë ai nuk qëndronte në Shqipëri, por në shtetin grek. I dënuari fshihej në Greqi prej rreth nëntë vitesh, për t'i shpëtuar arrestimit të policisë shqiptare, ku edhe u kap nga autoritetet policore greke.
Ndërkaq, sipas vendimit të dënimit të tij, i dënuari Ziko Lena, në dhjetor të vitit 2001 ka siguruar kalimin e një gruaje shtatzënë nga Shqipëria drejt Greqisë, duke e strehuar atë në një klinikë në Greqi, pasi kjo e fundit ishte shtatzënë.
"Në këtë klinikë gruaja ka lindur fëmijën e saj dhe pas lindjes së fëmijës, Ziko Lena i ndihmuar edhe nga bashkëshorti i gruas e kanë shitur fëmijën kundrejt shumës së 500 mijë lekëve dhe e kanë kthyer sërish në Shqipëri"- thuhet në reagimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në lidhje me ekstradimin e 60- vjeçarit nga Pogradeci.
Pas kthimit në Shqipëri, e dëmtuara me inicialet M. S, ka denoncuar në polici, shitjen e fëmijës së saj dhe më pas kanë nisur hetimet për të zbardhur skemën e trafikimit dhe bashkëpunëtorët e të dënuarit. Rrëfimet e gruas që u dërgua në Greqi bashkë me fëmijët e saj, kanë qenë kyçe në zbulimin e mënyrës se si ka funksionuar kalimi i foshnjave nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, për qëllime trafikimi.
Në dëshmitë e saj, ajo ka pohuar se i dënuari i ka premtuar se fëmijët do të kalojnë në Greqi për t'u birësuar tek një familje e pasur, por më pas gruaja ka hedhur dyshimet se fëmijët e saj mund të jenë trafikuar.
Nga të dhënat e dosjes penale të Ziko Lenës mësohet se ky i fundit ka bashkëpunuar dhe me dy persona të tjerë për të bërë të mundur kalimin e të miturve matanë kufirit, që do të trafikoheshin më pas në shtetin grek.
Në vendimin e datës 4 prill 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, ka shpallur fajtor po për veprën penale të trafikimit të fëmijëve dhe dy bashkëpunëtorët e të ekstraduarit dhe bëhet fjalë për Hymet Prekën, i dënuar me 15 vjet burg dhe Nazmi Krekën, me 23 vjet burg.
Sipas vendimit të gjykatës, këta persona janë shpallur fajtor për trafikimin e fëmijëve shqiptarë në Greqi. I ekstraduari, Ziko Lena, ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi kërkohej nga autoritetet e policisë shqiptare. Arrestimi i tij është bërë në Greqi me qëllim për t'u ekstraduar në vendin tonë për të vuajtur dënimin që ka marrë për veprën penale të trafikimit të fëmijëve.