Montobio: Zgjidhni krizën brenda 10 majit

Ambasadori i Spanjës pret nga forcat politike shqiptare veprime konkrete dhe jo fjalë
TIRANË - Bashkimi Europian i kërkon Shqipërisë që brenda datës 10 maj të gjejë një zgjidhje për ngërçin politik të krijuar në vend. Ndryshe nga herët e tjera, Ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, ka folur me data konkrete. "Në situatën aktuale politike është e nevojshme që të shmangen përplasje të tjera, pasi kjo mund ta rëndojë më tej situatën. Ne presim fakte dhe jo fjalë.
Ne presim që kjo situatë të kapërcehet dhe kujtojmë që afati për të realizuar këtë është 10 maji, ditë në të cilën zhvillohet takimi i këshillit të Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, dhe më herët në 4 maj kur është dhe takimi ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe BE-së.
Ne duam fakte dhe jo fjalë që të na lejojë neve të fokusohemi në axhendën konkrete të integrimit", - tha Montobio. Ambasadori i Spanjës theksoi se parlamenti është vendi i vetëm për zgjidhjen e ngërçit politik.
"Në shoqëritë demokratike parlamenti është vendi i dialogut dhe i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Ne i kërkojmë drejtuesve politikë shqiptarë që të vlerësojnë rezultatet e dialogut në shërbim të integrimit të vendit. Funksionimi i Parlamentit është i rëndësishëm për të treguar maturinë e klasës politike dhe për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme.
Ne kërkojmë që aktorët kryesor politikë të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv, pasi kjo i shërben funksionimit normal të institucioneve demokratike. Sa i përket zgjidhjes, ne përsërisim se ajo duhet të vijë nëpërmjet dy parimeve, respektimi i kushtetutës dhe transparencës", - tha Montobio.