Grindet për kushërirën, plagos 3 gjimnazistë

Policia arrestoi autorin e dyshuar të krimit, ndërsa të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut
TIRANË- Një konflikt mes gjimnazistësh përfundoi në plagosjen e tre nxënësve në Pezë të Tiranës, ndërkohë që autori i dyshuar i krimit u arrestua për akuzën e plagosjes. Sherri ka nisur për një femër, e afërme e autorit të dyshuar të ngjarjes të cilën sipas burimeve, e kishte ngacmuar një nga të plagosurit.
Sherri midis nxënësve ndodhi pas mësimit, rreth orës 13.00 të ditës së hënë, në shkollën e mesme në Pezë, në periferi të kryeqytetit. Pasi kanë mbaruar mësimin, tre adoleshentë janë përfshirë në një sherr midis tyre, ku në fund ka mbetur i plagosur Leonard Dorzi dhe dy persona të tjera, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur nga policia.
Si autor i dyshuar i ngjarjes u arrestua 17- vjeçari Reinard Shaphasa, i cili dyshohet të ketë plagosur me thikë tre bashkëmoshatarët e tij. Mësohet se fillimisht të rinjtë kanë debatuar midis tyre dhe dyshohet se shkak është bërë një nga nxënëset e shkollës, e afërme e autorit të dyshuar të ngjarjes, që u arrestua nga policia.
Pas shkëmbimit të fjalëve, tre nxënësit e gjimnazit të Pezës, kanë ngritur tonet midis tyre dhe në fund, mësohet se njëri prej tyre, Reinard Shaphasa, ka nxjerrë thikën duke lënë të plagosur tre nxënësit. I riu ka tentuar t'i largohet forcave të policisë, por pas ngjarjes ai është arrestuar, si autori i dyshuar i plagosjes.
Pas ngjarjes, e cila ka ndodhur në mesditën e së hënës, është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, për të hetuar për motivet që kanë shtyrë të rinjtë të grinden mes tyre.
Efektivat e komisariatit nr. 6, bashkë me specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kanë mbërritur në fshatin Pezë, në periferi të Tiranës, duke arrestuar edhe 17- vjeçarin Shaphasa.
Të dëmtuarit pas ngjarjes janë dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që janë marrë dhe në pyetje nga oficerët e policisë së kryeqytetit për të mësuar motivet e sherrit që përfundoi me tre të plagosur. Në pyetje janë marrë edhe nxënësit e tjerë të shkollës, për të zbardhur plotësisht rrethanat e plagosjes.
Lidhur me këtë ngjarje, hetimet do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të plagosjes. Vitin e kaluar në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit u shënuan disa raste ku nxënësit janë plagosur me thikë brenda dhe jashtë ambienteve të shkollave.