E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i kokainës, arrestohen 5 shqiptarë në Itali

Tre familjarët Dedej dhe një vajzë 21-vjeçare janë arrestuar si pjesë e një rrjeti që furnizonte me kokainë zonën e Teramos në Itali

Pesë shqiptarë janë arrestuar dje në Teramo të Italisë, pasi dyshohen si pjesë e një rrjeti që kishte ekskluzivitetin e tregtimit të kokainës në zonë. Denis Dedej 26 vjeç, Roland Dedej 23 vjeç, Fiqiri Dedej 54 vjeç, Gjovalin Ndoj 27 vjeç, si dhe Nerxhina Kekezi 21 vjeçe, janë arrestuar për trafikim të paligjshëm të lëndëve narkotike. Karabinierët kanë ndjekur një autoveturë “Volksvagen”, të drejtuar nga 27-vjeçari Ndoj dhe më pas shqiptarin, derisa ai ka mbërritur tek apartamenti i katër shqiptarëve të tjerë ndërkohë që me vete mbante dhe një çantë. Nga ndërhyrja blic e policëve italianë rezultoi se në çantë ndodhej gjysmë kilogrami kokainë e pastër, e cila mendohet se kap një vlerë prej të paktën 70 mijë eurosh në treg. Në apartamentin ku u kapën në flagrancë 5 shqiptarët janë gjetur dhe 60 mijë euro cash, shumë kjo që mendohet se është fituar në sajë të tregtisë së paligjshme të kokainës nga të arrestuarit. Pesë shqiptarët kanë përfunduar në pranga, ndërsa policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur gjithë skemën e trafikut të kokainës ku ata ishin përfshirë. Po dje karabinierët italianë kanë nisur një operacion për arrestimin e një shqiptari të dyshuar për vrasje, por gjatë kontrollit në shtëpinë e tij kanë gjetur edhe lëndë narkotike. Në shtëpinë e Jon Hoxhës në Çezena, policia italiane gjeti 4.5 kilogramë heroinë të ndarë në 9 pako, një pistoletë të kalibrit 7.56, si dhe dy karta identiteti të rreme italiane. Hoxha dyshohej prej kohësh për vrasjen e një tjetër shqiptari, krim ky i ndodhur në një diskotekë një vit më parë. Policia e ka mbajtur atë nën kontroll për muaj me radhë ndërsa dyshonte se autori i vrasjes ishte Hoxha, për shkak të pazareve të drogës me viktimën. Hetuesit thanë se pistoleta e gjetur në shtëpinë e 27-vjeçarit shqiptar mund të jetë ajo me të cilën ka kryer dhe krimin, pasi të paktën kalibri përputhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›