Vritet biznesmeni i ashensorëve, dyshime për vrasës me pagesë
Gentian Zguro, 35-vjeçari me disa biznese në Tiranë, është vrarë dje në qendër të Durrësit nga një person ende i panjohur. Hetimet për krimin transferohen në Tiranë, ku dyshohet se viktima kishte armiqësi të vjetra
Qyteti i Durrësit është tronditur nga një vrasje e ndodhur në mes të ditës pranë Drejtorisë së Tatimeve të këtij qyteti, ku 35-vjeçari Gentian Zguro ka humbur jetën në vend pas plagëve të marra. Dëshmitarë të ngjarjes thanë dje se Zguro është goditur me pistoletë nga një person, i cili më pas është larguar në këmbë qetësisht, ndërsa policia e Durrësit nuk ka mundur të kapë autorin e vrasjes së ndodhur në mes të Durrësit. Autori e ka goditur 35-vjeçarin nga një distancë shumë e afërt, nga mbrapa, ndërsa ky i fundit ka qenë duke ecur në rrugë. Policia e Durrësit ka nisur dje hetimet, ndërsa ka kërkuar ndihmën e kolegëve të Tiranës, pasi verifikimet e para nxorën në dritë të dhëna se Zguro nuk ka qenë aspak i panjohur për policinë. Burime pranë grupit hetimor i thanë dje MAPO-s se viktima ishte lakuar në të shkuarën si personazh në disa ngjarje të ndodhura në Tiranë gjatë viteve të fundit, ndaj edhe hetimi për vrasjen e tij është fokusuar më së pari tek këto dyshime. Të njëjtat burime saktësuan dje për MAPO-n se në vitin 2004 viktima ka ndryshuar dhe mbiemrin në Zguro, ndërsa gjerësisht në Tiranë ai njihej si Gentian Gashi. Hetuesit dyshojnë se vrasësi mund të jetë i porositur nga armiq të Zguros dhe Durrësi mund të jetë zgjedhur si vendi i ekzekutimit, por “porositësit” dyshohet se fshihen në kryeqytet. “Personi që kreu krimin, për nga mënyra se si ka vepruar të bën të kuptosh se ka pasur informacione shumë të sakta për lëvizjet e viktimës. Ne dyshojmë se autori i krimit mund ta ketë ndjekur viktimën deri në Durrës, që gjatë nisjes së tij nga Tirana”, - i thanë dje MAPO-s zyrtarë të policisë së Durrësit. Mësohet se viktima vizitonte shpesh qytetin bregdetar të Durrësit, vitin e fundit për shkak se ishte menaxher dhe aksioner i një kompanie të quajtur “Hymmeri klemman”, e cila tregtonte ashensorë. Sipas të dhënave policore, Zguro vinte shpesh në qytetin e Durrësit, si për t’u kujdesur për mbërritjen e artikujve të importuar për llogari të kompanisë, ashtu edhe për të kryer veprime financiare pranë degës së Doganës dhe Tatimeve të Durrësit. Në këtë kompani, Zguro është futur aksioner në vitin 2010, ku mori rreth 33 për qind të aksioneve. Gjithashtu viktima është aksioner edhe në disa aktivitete të tjera tregtare, duke përfshirë dhe një Bar në Tiranë, por edhe në disa dyqane që i kushtohen shitjes së impianteve audio në kryeqytet. Burime nga grupi hetimor i thanë mbrëmë “MAPO”-s se po hetojnë të shkuarën e 35-vjeçarit, pasi informacionet paraprake tregojnë se ai ka qenë i skeduar në vitin 2001 në Itali. Por nuk përjashtohen si pistë hetimi as problemet që mund të kenë lindur kohët e fundit, për shkak të angazhimit të tij në biznes. Ndonëse hetimet po i udhëheq policia e qytetit të Durrësit, pistat mbi motivet e kësaj vrasjeje i janë besuar sektorit të antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Pista 1
Hetimet janë fokusuar në të shkuarën e Gentian Zguros, pas informacioneve të policisë se biznesmeni ka qenë i skeduar në Itali në vitin 2001. Hetimet përqendrohen edhe në konfliktet e mundshme në Tiranë
Pista 2
Hetuesit nuk kanë përjashtuar edhe konflikte të kohëve të fundit për shkak të konkurrencës në biznes, pasi Zguro zotëronte pesë kompani, njëra prej të cilave merrej me importin e ashensorëve