Vdekja e minatorit, policia hap hetimet, pyeten 10 persona
Ende i paqartë emri i kompanisë dhe biznesmenit që shfrytëzonte galerinë e mbyllur. Fetah Shehu përcillet për në banesën e fundit
BULQIZË-Të paktën 10 persona janë thirrur dhe pyetur nga policia e Bulqizës për vdekjen e minatorit Fetah Shehu 55 vjeç, i cili humbi jetën mesditën e së premtes në galerinë nr.66 në zonën D. Mësohet se grupi hetimor ka pyetur në cilësinë e dëshmitarit dy kolegë që punonin me Shehun në këtë galeri, si dhe persona të tjerë që kanë pasur dijeni për aksidentin. Ndërkohë ende është e paqartë se kush e drejtonte punën në galerinë e mbyllur nga RISHM.
Hetimet
Një zyrtar i lartë i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër pohoi për “Mapo” se vetëm pak orë pas ngjarjes janë thirrur dhe pyetur rreth ngjarjes së rëndë të paktën 10 persona që kanë pasur dijeni për ngjarjen. “Nuk mund të thuhen publikisht ato çfarë kanë thënë dëshmitarët dhe personat e pyetur, por po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Kjo galeri ka qenë e bllokuar dhe normalisht në të nuk duhej të punohej. Janë struktura të tjera ato që duhet ta kishin kontrolluar galerinë e rrezikshme dhe duhet të kishin marrë masa për bllokimin total të saj. Ne nuk kemi të dhëna cili ishte privati që shfrytëzonte minatorët, por sapo të sigurohemi kush ishte ai, do të merret në pyetje dhe përgjegjësi penale”, - theksoi ai. Ndërkaq, prokurori i Rrethit Gjyqësor Dibër, Hysni Vata shtoi se janë caktuar dy prokurorë të rrethit për të hetuar rreth ngjarjes tragjike. Ai tha se vetëm të hënën mund të mësohet më shumë rreth vdekjes së minatorit.
Ceremonia
Ndërkohë kanë qenë të shumtë pjesëmarrësit në ceremoninë mortore të Fetah Shehut. Minatorë të ACR-së, të afërm, drejtues të pushtetit vendor i kanë dhënë lamtumirën e fundit minatorit 55- vjeçar. Të afërmit e viktimës janë shprehur se Shehu ishte punësuar në një subjekt privat, pasi ACR-ja nuk kishte nisur ende punën në minierë. “Ishin kushtet e rënda familjare që e detyruan Fetahun të punësohej te një privat i palicencuar”, - deklaruan familjarët e minatorit që ndërroi jetë nëntokë.
Ngjarja
Fetah Shehu humbi jetën të premten nën 40 ton gur e krom që u shembën ndërsa ai tentonte të nxirrte mineral për një kompani private, që shfrytëzonte në mënyrë të paligjshme këtë sektor të shpallur të mbyllur nga autoritetet për shkak të pasigurisë së minierës së Bulqizës. 55-vjeçari baba i tre fëmijëve, është i 4-ti minator që humb jetën në më pak se një muaj, kur dy të rinj humbën jetën tri ditë më parë në Tropojë, ndërsa para tri javësh një shpërthim po në Bulqizë i mori jetën një 39-vjeçari dhe plagosi tetë të tjerë. Shehu, minatori që humbi jetën, punonte për kompaninë ACR, por duke qenë se kjo kishte disa muaj që nuk punonte, ai ishte duke punuar për një të tretë. Ngjarja ndodhi në mesditën e djeshme në një galeri të bllokuar nga RISHM-i për shkak të kushteve tejet të rënda që ajo kishte. 55-vjeçari kishte realizuar një shpërthim me dinamit dhe në momentin e shembjes po këqyrte gjendjen teknike të minierës, pasi ajo ishte e braktisur dhe dihej shkalla e lartë e amortizimit të saj. P.Hasa