E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, BE mirëpret bashkëpunimin e Shqiprisë me EULEX

TIRANE- Task Forca e Posaçme e Hetimit e Bashkimit Evropian (SIFT) përshëndeti miratimin sot nga Parlamenti i Shqipërisë të ligjit mbi bashkëpunimin me SIFT-in.

Zyra e shtypit e delegacionit të BE-së në Tiranë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se "miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm përpara, pasi forcon më tej aftësinë e SIFT-it për të kryer një hetim penal të plotë, të drejtë dhe të pavarur lidhur me akuzat për krime lufte dhe për krim të organizuar, që përmbahen në raportin e Këshillit të Evropës (KiE) të janarit 2011".

Ligji, i cili reflekton ligje të mëparshme rajonale mbi bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), tregon qartazi se SIFT-i mund të arrijë bashkëpunimin për hetim nga shtetet përkatëse.

"Dua të shpreh vlerësimin tim ndaj Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij për propozimin e një ligji mbi bashkëpunimin me SIFT-in dhe për mundësimin e miratimit të tij nga Parlamenti. Njëkohësisht, dëshiroj të përgëzoj të gjitha partitë politike të cilat ofruan mbështetjen e tyre ndaj këtij ligji. Mbështetja e gjerë politike ndaj kësaj nisme është një shprehje e fortë e angazhimit të Shqipërisë ndaj çështjes së përgjegjshmërisë dhe zbatimit të ligjit", tha kryeprokurori Clint Ëilliamson.

Në njoftim thuhet se ky do të jetë një hetim kompleks dhe i gjatë, por miratimi i këtij ligji është me rëndësi të veçantë pasi ai do të lejojë SIFT-in të kryejë veprimtari hetuese në mënyrë autonome në territorin shqiptar, ku raporteri i KiE-së, Dick Marty, beson se janë kryer shumica e krimeve të pretenduara.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›