E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, Brukseli nxit hetimet për pretendimet e Dick Martyt

Bashkimi Evropian pret miratimin në Parlamentin e Shqipërisë të ligjit për marrëdhënie juridiksionale, i cili do të mundësojë hetimin e pretendimeve të senatorit zviceran Dick Marty, për trafikimin e organeve.
 

EULEX beson që projektligji i miratuar tashmë nga qeveria shqiptare do të jetë ndihmesë e madhe për zbardhjen e pretendimeve të Dick Martyt se ka pasur trafikim organesh gjatë kohës së luftës në Kosovë, shkruan “Zëri”.
 

Ky projektligj, i cili ka marrë bekimin e qeverisë dhe pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, u mundëson prokurorëve dhe hetuesve të Task-Forcës që pa asnjë pengesë ligjore të hetojnë në Shqipëri për të zbardhur të vërtetën e pretendimeve të Dick Marty.
 

“Task Forca ka punuar ngushtë me autoritetet shqiptare për të finalizuar marrëveshjet ligjore për bashkëpunim. Ne e mirëpresim vendimin e Këshillit Shqiptar të Ministrave për të miratuar një ligj për bashkëpunim me Task Forcën dhe presim me padurim që ky ligj të miratohet në Parlamentin e Shqipërisë”, thotë zëdhënësi i Task-Forcës hetimore për pretendimet e Dick Marty-t, Juri Lass.
 

Dick Marty, së fundi është ftuar si dëshmitar në rastin “Medicus”, rast ky i cili po zhvillohet në Prishtinë kundër mjekëve të një klinike private që akuzohen se kanë kryer në mënyrë ilegale transplantim të organeve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›