E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, Del Ponte: Po fshihen krimet e UÇK-së

PRISHTINE – Ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte, deklaroi se ka mungesë të vullnetit politik për të hetuar pretendimet për trafik organesh nga UÇK-ja, gjatë luftës në Kosovë.

“EULEX-i nuk ka kapacitete për të hetuar çështjen "Shtëpisë e verdhë”, ku Serbia pretendon se janë marrë, për t’u shitur, organet e serbëve të rrëmbyer gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare, pas raportit të Dick Martyt, është dashur të reagojë, por vetëm nën mandatin e OKB-së mund të jepet e vërteta për këto akuza. Ka mungesë të vullnetit politik për ta ndriçuar këtë rast. Kjo për faktin se situata në Kosovë është ende e brishtë.”- deklaroi del Ponte.

Ish-kryeprokurorja e Hagës akuzon NATO-n, UNMIK-un dhe autoritetet shqiptare se po pengojnë hetimet.

“NATO dhe UNMIK-u nuk kanë lejuar qasjen në dokumentet e rëndësishme, ndërsa Shqipëria nuk na ka lejuar të futemi në territorin e saj për të hetuar varret. Bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të dihet e vërteta për këto krime”- u shpreh del Ponte.

“Shkatërrimi i provave ishte një gabim i madh. Kjo është bërë pa u konsultuar me mua, dhe madje pa folur me mua për këtë temë. Kam qenë shumë e habitur kur nga mediat kam mësuar se dëshmitë janë shkatërruar. Por, sigurisht se nuk ndihem përgjegjëse për këtë, sepse nuk kisha mandat për të udhëhequr hetimet. Unë e di se kush ka vendosur për shkatërrimin e provave, sepse kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me pasuesin tim në pozitën e prokurorit, Serge Brammertz”, vijoi në tej del Ponte.
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›