E Shtunë, 31 Tetor 2026

AH1N1, asnjë përgjigje për 13 rastet e dyshuara

Vapa dhe pushimet nuk e kanë minimizuar punën në radhët e strukturave shëndetësore. Pavarësisht reduktimit të personelit shëndetësor, si pasojë e pushimeve, çdo ditë pranë laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik dërgohen kampionë për analiza nga i gjithë vendi, si nga qendrat shëndetësore në Tiranë ashtu edhe nga spitalet rajonale. Ndërsa laboratori i ISHP-së, shërbimi infektiv apo laboratorët e tjerë vazhdojnë analizat dhe ekzaminimet për rastet e virozave të "rënda" apo më të "çuditshme" se të tjerat. 13 kampionë të dyshuar për grip derri, të marrë rreth 10 ditë më parë pritet të konfirmohen nga specialistët rumunë nga laboratori i referencës në Bukuresht, për Europën Juglindore.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 ditë, ende nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga Rumania. Të paktën zyrtarisht, Ministria e Shëndetësisë apo Instituti i Shëndetit Publik nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare.

Sipas buletinit të fundit informativ të Institutit të Shëndetit Publik, lidhur me gripin e derrave në Shqipëri, të gjitha rastet e shfaqura në vendin tonë me virusin AH1N1 kanë simptoma të lehta. ISHP-ja ka raportuar lidhur me ecurinë e përhapjes së këtij virusi në vendin tonë, se shenjat e shfaqura ishin temperaturë më e ulët se 38 gradë Celsius, dhembje koke, dhembje fyti, dhembje muskulore dhe lodhje. Sipas ISHP-së, vetëm dy raste të mundshme paraqitën shenja klinike, për të cilat u gjykua shtrimi në spital dhe vetëm për një rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me tamiflu. Të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital. Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë. Dy raste janë trajtuar në kushte ambulatore dhe nën mbikëqyrjen e mjekut me tamiflu. Në Shqipëri janë konfirmuar deri tani 8 raste me gripin e derrit dhe 13 raste të tjera dyshohen si të mundshme. Mjekët këshillojnë larjen e duarve disa herë gjatë ditës, me sapun dhe jo më pak se 10 sekonda. Goja dhe hundët duhet të mbulohen me shami. Qytetarët duhet të kenë një sistem të fortë imunitar duke e stimuluar me regjim, pushim, përdorimin e një diete të pasur ushqimore, me lëngje, vitamina e proteina.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›