Kukës-Morinë, bllokohen automjetet e rënda
AUTOSTRADA/ Firmat ndërtuese nuk mirëmbajnë rrugën, kontrata është llogaritur vetëm për 18 muaj
KUKËS-
Automjetet e tonazhit të rëndë kanë vështirësi në qarkullim në aksin rrugor Kukës-Morinë, sidomos në periudhë shirash. Ditët e fundit, në këtë aks rrugor janë bllokuar mjetet e tonazhit të rëndë për shkak të rrugës së papërshtatshme dhe baltës së krijuar në rrugët dytësore të ndërtuara enkas nga firmat ndërtuese. Aksi rrugor Kukës-Morinë është dëmtuar rëndë pas fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës, duke vështirësuar tej mase qarkullimin. Specialistë të kompanisë supervizore "SËS & Sintagma Tecnic", që mbikëqyrin punimet në lotet e këtij segmenti, kanë sqaruar se në bazë të kontratës, firmat ndërtuese duhet të mirëmbajnë rrugët të cilat i dëmtojnë si pasojë e kryerjes së punimeve. Për këtë qëllim, në kontratë janë të përcaktuar edhe shpenzimet lokale për mirëmbajtjen e tyre. Por këto shpenzime, sipas specialistëve të kompanisë mbikëqyrëse, janë të përcaktuara vetëm për periudhën kohore të përcaktuar për përfundimin e punimeve, që në bazë të kontratës ka qenë 18 muaj. Ky afat është shtyrë disa herë, megjithatë autostrada Kukës-Morinë nuk ka përfunduar. “Shpenzime lokale nuk jepen, pasi autostrada në letra quhet e përfunduar. Në tenderin e dytë nuk janë parashikuar as shpenzime lokale, por as shpenzime për ngritjen e kantierit, pasi tenderat i kanë fituar të njëjtat firma që kanë punuar edhe më parë”,- shprehen specialistët e kompanisë supervizore "SËS & Sintagma Tecnic". Ndërkohë, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk ka akorduar asnjë fond për mirëmbajtjen e rrugës ekzistuese Kukës-Morinë, rrugë në të cilën nuk është vënë dorë që nga fillimi i punimeve në autostradë, në gusht të 2006-s. Gjithsesi, shtyrja e grafikut të punimeve po vazhdontë krijojë probleme në rrugën Kukës-Morinë. Ky segment rrugor ka qenë më i qarkullueshmi për kuksianët lidhur edhe me faktin se Kukësi është larg qendrës së vendit dhe veprimtarinë kryesore tregtare dhe atë të shërbimeve e kryen në qytetin e Prizrenit.