E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në "Dakar 2009". Humb jetën francezi Terri

Gara e Dakarit ndryshon kontinent, por, për fat të keq, rally nuk arrin të evitojë tragjeditë. Në mbrëmjen e së martës, motoçiklisti francez, Paskal Terri, është gjetur pa jetë në rrugën e etapës së katërt, nga Jakobaçi në Neukuen të Argjentinës. Lajmi është konfirmuar nga organizatorët e "Dakar 2009". Terri, i lindur më 1 dhjetor 1959, konkurronte me Jamaha 450 WFR dhe kishte arritur në vendin e 163-të në etapën e parë. Ky ishte edicioni i parë që francezi merrte pjesë me motorë, pasi më parë kishte garuar me makina, përkrah shokut të tij, Paskal Zhilber (edhe ky pjesëmarrës gjatë këtij viti). Organizatorët bënë të ditur se Terri rezultonte i humbur që prej ditës së diel, kur u mbajt etapa e dytë nga Santa Roza në Puerto Madrin. Piloti transalpin u gjend "në një pikë mjaft të vështirë kalimi, për shkak të bimësisë së dendur, rreth 15 metra larg motorit të tij. Kishte hequr kaskën dhe ishte munduar të qëndronte në hijen e pemëve. Pranë trupit të pajetë u gjetën rezervat e ushqimit dhe të ujit", shpjegonin në një deklaratë organizatorët e rally-t. Organet kompetente në provincën e Las Pampasit kanë filluar menjëherë hetimet, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, e cila është e para në këtë edicion të Dakarit. Ndërkohë, trupi i pajetë i Paskal Territ u dërgua në morgun e spitalit të Santa Rozas, ku do të kryhet autopsia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›