E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Sepang, vdes Simonçeli

Moto GP është në zi, pasi Marko Simonçeli ka humbur jetën në moshën 24-vjeçare si pasojë e një aksidenti horror në garën për Çmimin e Madh të Malajzisë. Piloti italian i Hondas u përplas në xhiron e dytë në cirkutin e Sepangut, ndërsa rrëzimi ka rezultuar fatal. Simonçeli ka humbur kaskën si pasojë e goditjes, ndërsa më pas është goditur në qafë nga motori i Kolin Eduards, i cili nuk ka patur mundësi të reagojë. 24-vjeçari ka qëndruar palëvizur në pistë, ndërsa menjëherë ka ndërhyrë stafi mjeksor që i ka dhënë ndihmën e parë. I menjëhershëm ka qenë edhe transportimi i tij në spital, por gjendja e pilotit ishte e dëshpëruar. Mjekët janë munduar të mbajnë në jetë 24-vjeçarin, por përpjekjet kanë qenë të kota, ndërsa më pas ka ardhur zyrtarizimi i lajmit të hidhur për vdekjen e tij. Për pasojë gara për Çmimin e Madh të Malajzisë u pezullua, ndërsa MotoGP ka humbur një nga pilotët më të talentuar. Simonçeli kaloi në klasin më të lartë të motorsportit në sezonin e kaluar, pas paraqitjeve të tij të shkëlqyera në Moto2. I karakterizuar nga agresiviteti i theksuar në pistë, ai mori drejtimin e një Honda Gresini, por kjo ka rezultuar fatale për Markon, jeta dhe karriera e të cilit është ndërprerë në mënyrë tragjike në moshën 24- vjeçare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›