E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vringëllijnë prangat e para

Të paktën 4 persona u ndaluan dje për të dhënë sqarime në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gërdec

TIRANË - Në më pak se 24 orë pas fillimit të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, bëhen 4 ndalimet e parë. Emrat VIP që dje e panë veten fillimisht të shoqëruar e më pas dhe të ndaluar, janë ato të Mihal Delijorgjit, një ndër biznesmenët më të fuqishëm në vend dhe ai i Ylli Pinarit, i cili ishte deri në orët e pasdites së djeshme ishte në krye të ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të Ministrisë së Mbrojtjes, “Meico”-s.  Nga një përfaqësues për çdo kompani që ishte “palë” nga dera e jashtme e deri në vendimmarrjet më të mëdha që kishin të bënin me depon e çarmatimit në Gërdec, u ndaluan nga prokuroria dhe policia e Tiranës në orët e mbrëmjes së djeshme. Ndërkohë që burime jozyrtare të policisë dhe prokurorisë i bënë mbrëmë me dije “Korrierit”, se pas 4 ndalimeve të para, priten që dhe presona të tjerë të shoqërohen, mbase edhe të ndalohen. Mihal Delijorgji, pronar i firmës së hekurit “Albademil”, Ylli Pinari, monitorues i procesit të shitjes së armatimeve dhe drejtori i kompanisë “Meico”, Dritan Minxholli, drejtori i fabrikës, si dhe drejtori i një shoqërie rojesh private, Agim Vranaj, drejtues i firmës “Vrana Security”, që merrej me ruajtjen fizike të objektit, janë ndaluar nga efektivat e policisë së kryeqytetit, pasi grupi hetimor i kryesuar nga Genti Xholi, kryeprokurori i Tiranës, Arian Ndoi, kryeprokuror i Durrësit, nisën hetimet. Gjatë fazës paraprake të këtyre hetimeve, rezulton se  katër të ndaluarit dyshohet se kanë konsumuar dy vepra penale, atë të “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, neni 282 dhe “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, neni 289. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se gjatë marrjes në pyetje që të katërt kanë mohuar se kanë përgjegjësi në tragjedi. Gjithashtu, të njëjtat burime bëjnë të ditur se, ata kanë deklaruar se kanë zbatuar çdo normë sigurie gjatë proceseve që kryheshin aty dhe se nuk kanë bërë asnjë shkelje. Asnjëri prej tyre nuk i ka pranuar akuzat paraprake që grupi hetimor, në bazë të hetimeve të bëra, ka ngritur ndaj tyre. Ata kanë theksuar se kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe se asgjë nuk është bërë në mënyrë joligjore dhe të dëmshme për njerëzit që punonin aty. Ndërkohë që 24 orë përpara ndalimeve, kryeprokurorja Ina Rama bëri publike pistat kryesore të hetimit, që mund të kenë sjellë tragjedinë e së shtunës, që ishin moszbatimi i rregullave për administrimin dhe ruajtjen e lëndëve plasëse nga të gjithë subjektet që janë aktorë të këtij procesi, duke filluar nga firma “Meico”, tek firma amerikane “Southern ammunition company” dhe tek firma “Albademil”, zbatimi i rregullave për ruajtjen fizike të objektit, që ishte marrë përsipër nga firma “Vrnana Security” dhe zbatimi i rregullave në lidhje me përzgjedhjen e vendit ku është kryer ky proces. Emri i Delijorgjit, një ndër pronarët më të mëdhenj të shitblerjes së hekurit në Shqipëri, për drejtësinë shqiptare mësohet të mos jetë i ri, pasi disa vite më parë ai ka qenë i arrestuar gjatë kohës që ishte presidenti i sport-klub “Dinamos” nga Prokuroria e Durrësit, për shmangie të detyrimeve doganore, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh.   Çfarë është “Meico” “Meico” (Military Export Import Company) është ndërmarrje shtetërore në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Kjo ndërmarrje është krijuar në vitin 1991 me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 366, datë 05.10.1991 “Për krijimin e Ndërmarrjes së Import-Eksportit në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes” dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksporteve të mallrave ushtarakë të reja dhe stoqeve të Ushtrisë Shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake. “Meico” përbëhet nga një staf i specializuar në fushën e importeve dhe eksporteve. Drejtor i Përgjithshëm i saj prej disa vitesh tashmë është Ylli Pinari.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›