E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gërdecit, më 4 maj Mediu në gjyq

Mesditën e 4 majit pritet të fillojë në Gjykatën e Lartë shqyrtimi i dosjes voluminoze të Gërdecit, me të pandehur kryesor ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe 28 të pandehurve për shpërthimin e 15 marsit 2008. 

TIRANE- Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, një prej të dyshuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, do të ulet në bankën e të akuzuarve mesditën e 4 majit 2009.
Gjykata e Lartë ka përcaktuar datën e nisjes së procesit penal ndaj 29 të pandehurve për shpërthimin e fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Kolegji penal i përbërë nga katër femra, Majlinda Andrea, Evelina Qirjako, Irma Bala dhe Evjeni Sinoymeri dhe gjyqtari Besnik Imeri, është përcaktuar nga shorti me gogla për të shqyrtuar dosjen e vitit. Të akuzuarit do të përballen me akuzat mesditën e 4 majit.

Dosja “Gërdeci” u dorëzua për gjykim nga Prokuroria e Përgjithshme më 13 mars të këtij viti, vetëm dy ditë para se të mbushej një vit nga ndodhja e tragjedisë. Nën akuzë janë vënë 29 persona, mes tyre Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes dhe deputeti republikan pa imunitet, disa ish-ushtarakë të lartë, ish-zyrtarë të dikasterit të mbrojtjes, të cilët do të përgjigjen për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, apo “falsifikimit të dokumenteve”. Ndërsa Ylli Pinari, ish-drejtor i kompanisë shtetërore, MEICO, Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”, Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës së çmontimit të municioneve dhe Sokol Ngjeci, ish-mbikëqyrës i MEICO-s, janë akuzuar për vrasje masive.

Brenda procesit penal do të shqyrtohen dhe dy padi civile; atë të familjeve gërdecare që kërkojnë nga institucionet shtetërore dhe Mihal Delijorgji t’i dëmshpërblejnë për humbjen e të dashurve të tyre, si dhe padia e regresit e bërë nga Avokati i Shtetit, ku i kërkohet gjykatës që biznesmeni Delijorgji të dëmshpërblejë të gjitha dëmet e shkaktuara.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›