E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi BE,Ministrat me qëndrime të ndryshme

Në bisedimet e sotme të ministrave të jashtëm të shteteve të BE, për procesin e integrimit, vendet e Ballkanit Perëndimor kërkuan që BE të hapë perspektivën për integrimin e tyre., por shtetet anëtare të BE janë në qëndrime të kundërta. 

ÇEKI- Shtatë vende të Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, kërkuan sot që Bashkimi Evropian ta hapë perspektivën për integrimin e tyre, por aktualisht procesin e zgjerimit e kundërshtojnë Franca dhe Gjermania.

"Nuk do të ketë zgjerim, nëse nuk miratohet Marrëveshja e Lisbonës", tha ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, në Hluboka të Çekisë, e cila e kryeson edhe presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Kjo pikëpamje u mbështet edhe nga zyrtarët e ministrisë së jashtme të Gjermanisë.

Por, me këto qëndrime nuk është pajtuar komisionari për zgjerim Olli Rehn, i cili tha se zgjerimi nuk duhet të "mbetet peng" për problemet për të cilat vendet, që synojnë integrim, nuk janë fajtore.

Bernard Kouchner tha se qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet "ta ulin tonin e retorikës nacionaliste" të tyre, që ai e përshkruajti si anakronike.

Ndërkohë ministri i Jashtëm britanik, David Miliband ka deklaruar se, asnjëherë dyert nuk do të mbyllen dhe se është e drejtë të vazhdohet procesi që çon në zgjerimin e BE me anëtarë të tjerë.

Deklaratë të ngjashme ka dhënë edhe ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, i cili ka theksuar se “nuk ka asnjë arsye të ndalet procesi i zgjerimit”. Por ai shtoi se këto vende nuk do të pranohen shpejt, pasi duhet të përmbushin kriteret politike dhe ekonomike.

Në rast se ne u mbyllim dyert, atëherë do të ketë konflikte të reja në Ballkan, ka thënë ndërkaq, ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.

Vlerësime të ngjashme kanë dhënë edhe shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini dhe ai i asaj suedeze, Carl Bildt. Ky i fundit madje ka vlerësuar se, “mbyllja e dyerve për Ballkanin, do të mund të kishte pasoja serioze për rajonin”.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kouchner, si probleme që duhet të zgjidhen, ka përmendur Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën. 

Në bisedimet e sotme të ministrave të jashtëm të shteteve të BE-së, për procesin e integrimit, morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia. Në këto takime ishte e pranishme edhe Turqia.

(a.r/rel/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›