Tragjedia e Gërdecit, shorti zgjedh gjyqtaren
25/06/2009 TIRANE- Shorti i gjykatës së Tiranës që është hedhur për përcaktimin e trupit gjykues të çështjes “Gërdeci”, ka zgjedhur gjyqtaren Fatmira Hajdari. Mësohet se kjo e fundit është zgjedhur në vend të gjyqtarit Fehmi Petku, i cili pak kohë paraqiti dorëheqjen nga çështja, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësi para hedhjes së shortit, e kishte emëruar gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Nisur nga kjo situatë drejtuesit e gjykatës kanë vendosur që çështja të rihidhej edhe njëherë në short, ku këtë herë fati për të gjykuar 28 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit i ka rënë gjyqtares Fatmira Hajdari. Dosja penale në ngarkim të ushtarakëve të lartë të ushtrisë shqiptare si dhe katër personave të arrestuar si shkaktarë të tragjedisë dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, u nda nga Gjykata e Lartë në dy pjesë. Pjesa më e madhe e të pandehurve të këtij procedimi i kaluan për gjykim gjykatës së Tiranës, ndërsa për Fatmir Mediun u vendos që ai të gjykohej nga 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ky vendim, sipas Prokurorisë së Përgjithshme ishte i padrejtë pasi neni 80 i Kodit të Procedurës Penale nuk e lejon një vendim të tillë. Aktualisht për tragjedinë e Gërdecit Prokuroria vazhdon të hetojë edhe 5 procedime të tjera.