Tragjedia e Gjirit të Meksikës, Pelozi: BP mungesë integriteti
Kryetarja e Kongresit Amerikan, Nensi Pelozi, ka akuzuar “British Petroleum” për “mungesë integriteti”, ndërsa ka folur për ngjarjet tragjike që po ndodhin në Gjirin e Meksikës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Obama, duhet që të takohet me të afërmit e 11 punëtorëve që u vranë nga shpërthimi i platformës së BP në Gjirin e Meksikës, e cila ishte edhe zanafilla e situatës aktuale. Ndërkohë, aksionet e kompanisë britanike të naftës kanë rënë nën nivelin e tyre më të ulët që nga viti 1997, nga frika për vendosjen e penalltive shumë të rënda financiare nga ana e shtetit amerikan për dëmin e shkaktuar. Ndërkaq, prokurori i përgjithshëm amerikan tha se “Amerika nuk do të paguajë asnjë qindarkë për pastrimin e detit nga ky dëm”. Sipas tij, vetëm kompania do të mbajë përgjegjësinë për një dëm të tillë deri në fund. Vetë Presidenti Obama tha se BP ka rënë dakord që të bëjë të gjitha kompensimet. Ai vetë ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe nën një presion shumë të madh në lidhje me mënyrën e menaxhimit të krizës. Nafta rrjedh nga gjiri që nga 20 prilli dhe kjo ka shkaktuar një dëm ekologjik që zor se do të ndreqet brenda një kohe të shkurtër, edhe pse BP pretendon ta bëjë një gjë të tillë. Veç kësaj, në shpërthimin e fillimit mbetën të vrarë 11 punëtorë. Vetë Obama ka shprehur ngushëllimet e tij të familjeve të viktimave gjatë takimit privat që pati me ta në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa revolta e njerëzve po rritet, Obamës i duhet të tregojë se është në komandë të situatës dhe se po merr të gjitha masat për ta mbajtur atë nën kontroll.
#