E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, irritohet Lulzim Berisha

Kreu i organizatës kriminale lë kafazin e hekurt të gjykatës. Debate të forta midis palëve

Procesi i djeshëm gjyqësor ndaj 17 anëtarëve të Bandave të Durrësit në Gjykatën e Krimeve të Rënda u karakterizua sërish nga debate të forta midis palëve. Avokatët mbrojtës dhe pakurorët e çështjes kanë “akuzuar” gjykatën se po vepron me dy standarde, ndërsa gjykata iu “ka ngritur zërin” dy përfaqësuesve të akuzës me sugjerimin që të rregullonin fjalorin. Seanca nisi në orën 09:00 dhe, pasi u verifikua prezenca e palëve, prokurori Behar Dibra i kërkoi trupit gjykues të shtyjë për një orë gjyqin pasi nuk kishte fashikujt hetimorë dhe se kolegu i tij ndodhej “me shërbim”. Procesi rinisi rreth orës 11:30 dhe në seancë u shfaq prokurori Anton Martini, që i kërkoi gjykatës që të lexojë deklarimet e disa dëshmitarëve që nuk ishin paraqitur pasi policia nuk i kishte gjetur në adresat e deklaruara të banimit. Madje, disa dëshmitarë mësohet të jenë larguar nga Shqipëria pa lënë asnjë adresë.

E papritura

Ajo që tërhoqi vëmendjen në seancën e djeshme ishte prezenca e dëshmitarit Geri Baja. Për këtë dëshmitar prokuroria ngulmoi një seancë më parë që të lexoheshin deklarimet, pasi policia nuk i kishte gjetur vendndodhjen. Emri Bajës u përmend edhe nga avokatët mbrojtës, të cilët i shprehën gjykatës gatishmërinë për ta sjellë dëshmitarin në seancë dhe ashtu ndodhi. Baja u paraqit në procesin gjyqësor dhe togat e zeza vendosën ta merrnin në pyetje, gjë që u kundërshtua nga prokurorët. Këta të fundit e argumentuan kundërshtinë e tyre me faktin që gjykata nuk i kishte dërguar Bajës fletëthirrje, por kishte ardhur me dëshirë në proces. Prokuroria i druhej “përpunimit” të dëshmitarit nga mbrojtja, që të deklaronte ato që “i kishin thënë”. Deklarata e prokurorisë “acaroi” avokatët mbrojtës, të cilët ngritën pretendimin se prokuroria po influenconte te gjykata. Pas debateve të ndërsjella, seanca është ndërprerë sërish dhe pas më shumë se gjysmë ore, vijoi me një kërkesë të prokurorisë për leximin e disa deklarimeve të dëshmitarëve, të cilët nuk ishin gjetur nga policia për të marrë njoftim për seancën.

Rebelimi

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për të lexuar deklarimet e dëshmitarëve Mustafa Mustafai dhe Julian Karpuzit, të dy dëshmitarë në vrasjen në vitin 1999 të shtetasit Eduart Ongari. Teksa fjalën e mori prokurori Anton Martini për të lexuar deklarimet e këtyre dëshmitarëve, nga kafazi i hekurt ka reaguar i pandehuri Lulzim Berisha, i cili i tha prokurorit “lexo shpejt” dhe më pas u largua në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit. Bashkë me Berishën u largua edhe avokati i tij mbrojtës, Ilia Ilia, por nga ana tjetër prokuroria vijonte leximin e deklarimeve. Në një moment, gjykata e ndërpreu prokurorin, duke i bërë me dije se çfarë mendon për situatën e krijuar dhe për vazhdimin e procesit, teksa ai këmbënguli të vijojë leximin e deklarimeve. Pas replikave të momentit me gjykatën dhe avokatët, prokurori Anton Martini deklaroi se nuk duhet të tolerohet sjellja e avokatit dhe ai duhet të zëvendësohet me një avokat kryesisht. Prokuroria tha se për këtë sjellje duhet të njoftohej Dhoma Kombëtare e Avokatisë për marrjen e masave. Më pas prokurori i ka deklaruar gjykatës se “duhet të qëndrojë mbi palët” pasi faktet tregojnë të kundërtën, ndërsa kryetari i trupës gjykuese, Gurali Brahimllari, i bëri me dije prokurorit Anton Martini se do të njoftonte Kryeprokuroren dhe Presidentin e Republikës për sjelljet në seancën gjyqësore.

Në lidhje me vazhdimin e seancës, gjykata pyeti avokatët e të pandehurve, të cilët i dhanë të drejtë sjelljes së kolegut të tyre, Ilia Ilia. Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues vendosi të shpallë mungesën e të pandehurit Lulzim Berisha dhe avokatët e tij Ilia Ilia e Arben Qeleshi dhe t’i zëvendësonte me avokaten Valentina Teodoresku. Seanca e radhës u la ditën e hënë, më 21 qershor, në orën 09:00.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›