E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Himarës, Florije Peçibëhet nënë, lind vajzë

TIRANË - Ka lindur fëmijën e saj, Florije Peçi, e mbijetuara e aksidentit të Himarës. Lajmi konfirmohet për “A1 Report” sot nga vëllai i Florijes, Gazmend Peçi. Sipas tij, fëmija është i seksit femër dhe Florije ka lindur me operacion në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë, aty ku edhe u zbulua shtatzënia e saj.
 
Florije Peçi, pas aksidentit rrugor të Himarës,  ku humbën jetën 22 studente të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, u  dërgua në gjendje kome në Austri për mjekim të specializuar në periudhën nga 24 maj - 11 tetor 2012.

Pasi ka mbërritur në Shqipëri ajo ka shfaqur shqetësime të tjera shëndetësore dhe gjatë një kontrolli mjekësor në maternitet është zbuluar se ajo ishte shtatzënë.  I vëllai i Flories, Gazmend Peçi, fillimisht bëri edhe një kallëzim penal në Prokurori me pretendimin se motra e tij është përdhunuar në periudhën e rehabilitimit në spitalin “Gmunderberg Almunster” në Austri rreth shtatorit 2012.
 
Më pas, në kuadër të hetimeve, u përcaktua edhe zyrtarisht se ndërmjet datave 24-26 shtator 2012, Florije Peçi edhe pse e sëmurë ka mbetur shtatzënë.

"Koha e konceptimit të fëmijës së Florije Peçit, studentes së aksidentuar, është 24- 26 shtator 2012. Marzhi shkencor i gabimit në këtë përllogaritje u verifikua plus minus dy ditë",  është përgjigja që drejtues të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë i dhanë Prokurorisë në kuadrin e hetimeve të çështjes së përdhunimit të saj.

Sipas tyre, "Florije Peçi u ekzaminua përgjatë dy ditëve në maternitet me kërkesë të Prokurorisë. Gjatë ekzaminimit nuk u vërejtën shenja dëmtimi apo pasoja të një marrëdhënie seksuale të dhunshme. Mosha e fetusit ishte 6 muajshe në kohën kur u krye ekzaminimi".
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›