E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Otrantos, familjarët e 81 viktimave apel për drejtësi



VLORE - Familjarët e viktimave të Otrantos kanë hedhur lule në det në 13-vjetorin e tragjedisë së 28 marsit 1997. Në përkujtimoren e djeshme të një prej ngjarjeve më të rënda, për shkak të numrit të viktimave, të afërmit e tyre vijojnë të kërkojnë drejtësinë e munguar sipas tyre në këto vite. Apeli i është drejtuar shtetit shqiptar, me qëllim të ndikojë për të dëmshpërblyer familjet e këtyre viktimave dhe vënien në vend të drejtësisë. Në homazhet e djeshme kanë shoqëruar familjarët edhe dy deputetët e PD-së, Ardian Kollozi e Kreshnik çipi, si dhe drejtues të tjerë të degës lokale të PD-së, të cilët krahas ngushëllimit kanë deklaruar se do të jenë një mbështetje e fortë për këta familjarë në seancat gjyqësore të programuara tashmë, e para në 20 prill në Shqipëri dhe e dyta në 4 maj në shtetin italian. Deputeti Kollozi përpara mediave përpos ngushëllimit për familjet e viktimave dhe konfirmimit për mbështetje theksoi se: "Kjo ditë provon se kur segmente apo pjesë të politikës kërkojnë të realizojnë qëllimet e tyre me se s'bën, e përtej kontureve kushtetuese rezultojnë ngjarje të tilla, që i vuajnë dhe sot këto familje. Kjo ditë duhet të jetë një ditë refleksioni për të gjithë ne", deklaroi ai. Pas ceremonisë së përvitshme të hedhjes së luleve në det, nga kalata e portit të Vlorës, mes lotëve e dhimbjes familjarët e viktimave të tragjedisë së Otrantos kanë theksuar apelin ndaj strukturave shtetërore, për t'i orientuar ato drejt zgjidhjes, ndërsa kanë deklaruar se tashmë do të vijojnë seancat gjyqësore për hedhjen dritë mbi këtë çështje.
Në 57 viktimat e konfirmuara dhe 24 të humburit ende sorollatet çështja në instanca të ndryshme. Duke kaluar nga gjyqësori italian në atë shqiptar, madje tentativat janë që çështja e Otrantos të çohet deri në Gjykatën e Hagës. Ngjarja tragjike u shënua më 28 mars të vitit 1997, kur rreth 115 shtetas shqiptarë u imbarkuan në anijen "Katri i Radës". Pas rreth 4 orësh lundrim në det ata mbërritën në kanalin e Otrantos, kur një goditje e fuqishme prej anijes luftarake italiane "Sibila" shkaktoi fundosjen. Dhjetëra gra e fëmijë ishin mes 81 viktimave, një pjesë e të cilëve nuk u gjetën kurrë. Ndonëse prej vitesh është kërkuar e drejta për këtë çështje, ende nuk ka përfunduar zgjidhja e saj. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›