"Shkarkimi im, për të fshehur aferat"
FATOS MAHMUTAJ/ RITVAN DIBRA
Përplasjet mes Myftinisë së Shkodrës dhe Komunitetit Mysliman për pronat, kanë qenë shkaku për shkarkimin e Ndriçim Sulejmanit nga posti. Vetëm dje, tri ditë pas mbledhjes së zhvilluar në qytetin e Kavajës së kryesisë së komunitetit, u zbardhën arsyet prej vetë myftiut. "Frika nga ballafaqimi dhe kërkesa e llogarisë për dhënie lejesh ndërtimi me kontrata nën çmimin e tregut të ndërtimit, i kanë detyruar drejtuesit e komunitetit që të mos pranojnë në mbledhjen e radhës një nga anëtarët e Myftinisë së Shkodrës", - u shpreh dje Ndriçim Sulejmani, i shkarkuar menjëherë pas kësaj mbledhjeje. Ai ka folur konkretisht mbi përballjen e krijuar, pikërisht për hir të pronave që ka Komuniteti Mysliman në Shkodër. "Në një pallat të ndërtuar në pronat e KMSH-së, pranë teatrit "Migjeni" në qendër të Shkodrës, komunitetit i është shkaktuar rreth 100 mijë euro dëm, pasi nuk ka marrë sasinë e përcaktuar në kontratë. Unë, në cilësinë e myftiut të Shkodrës nuk pranova të merrja përsipër kontratën me firmën e ndërtimit, e cila i dha KMSH-së sipërfaqe më të vogël se ajo që ishte caktuar në marrëveshje", - u shpreh Sulejmani. Sipas tij, edhe pas kësaj, megjithëse mori një sipërfaqe më të vogël, KMSH shiti dy hyrje në këtë pallat, ndërsa ambientin tjetër që zotëron aktualisht dhe që ndodhet në tri kate të pallatit, e ka dhënë kundrejt një qiraje qesharake prej 160 mijë lekësh të vjetër në muaj. "Pohoj se me këtë veprim KMSH-ja manipulon të vërtetat e abuzimit dhe aferat e tjera korruptive me pronat e myslimanëve në Shkodër. Kjo është arsyeja e vërtetë e shkarkimit tim, ndërsa nuk jam njohur ende me aktin zyrtar të shkarkimit të nxjerrë nga institucioni i KMSH-së. Mund të them se arsyeja që më thanë gjatë mbledhjes në Kavajë ishte ngritja e zërit nga ana ime, në mbrojtje të votës së Virtyt Sokolit nga Shkodra në Këshillin e Përgjithshëm, i cili ishte zgjedhur konform statutit të KMSH-së për të përfaqësuar Shkodrën në mbledhje", - pohoi për "Panoramën" myftiu i shkarkuar zyrtarisht nga komuniteti. Sulejmani thotë se, ndonëse ka dëgjuar se në Myftininë e Shkodrës ka mbërritur shkresa e shkarkimit, ai nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë, ku t'i kërkohet se kujt t'ia dorëzojë vulën dhe bazën materiale. Për imam Sulejmanin, vendimi për shkarkimin e tij, vendosur pas mbledhjes së të enjtes, është i paligjshëm dhe i pambështetur në statutin e Komunitetit Mysliman dhe për këtë thotë se ka ngritur një padi civile në Gjykatën e Rrethit të Tiranës. Duke iu kthyer mbledhjes së Kavajës, Sulejmani deklaroi se kryesia e Komitetit Mysliman Shqiptar dhe këshilli drejtues i tij, dhunuan në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje flagrante të statutit për të dytën herë radhazi anëtarin përfaqësues të Myftinisë Shkodër në këshillin e përgjithshëm të këtij Komuniteti. "Një veprim i tillë është bërë për të mos pranuar korrupsionin që ka përfshirë këtë komunitet në lidhje me transparencën e pronave", - u shpreh myftiu. Nga ana tjetër, Myftinia e Shkodrës vazhdimisht është mbajtur nën presion psikologjik, meqenëse ajo nuk ka pranuar të marrë në dorëzim këto objekte në pronësi të KMSH-së.
KMSH: Myftiu i Shkodrës u shkarkua për sharje dhe fyerje
TIRANE - "Shkarkimi i myftiut të Shkodrës, Ndriçim Sulejmani, është bërë direkt nga Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, i cili konsiderohet si parlamenti më i madh i myslimanëve shqiptarë dhe për më tepër në këtë votim kryesia e KMSH-së ka pasur vetëm të drejtën e një vote." Ky ishte pohimi zyrtar i KMSH-së, ditën e djeshme nëpërmjet zëdhënësit Dorian Demetja. Duke folur në bazë të vendimit për shkarkimin e myftiut Sulejmani, zëdhënësi Demetja tha se myftiu Sulejmani ka marrë herë pas here vërejtje nga Këshilli i Përgjithshëm për sjellje të pahijshme, sharje dhe ofendime, duke shkuar deri në incidente fizike, të cilat s'janë në përputhje me moralin islam dhe statutin e KMSH-së. "Konkretisht kanë qenë anëtarë të KMSH-së nga Shkodra dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, të cilët kanë pasur një komunikim brutal, me fjalë dhe vepra me të. Ndërsa Sulejmani përplasi me forcë derën, duke e thyer atë. Këto ishin shkaqet që çuan Këshillin e Përgjithshëm të marrë vendimin për shkarkimin e tij në mbledhjen e datës 25 mars 2010. Madje mund të thuhet që KMSH ka toleruar shumë në këtë drejtim", - pohoi zëdhënësi Demetja. Më tej ai tha se shkarkimi i Sulejmanit është bërë në zbatim të nenit 23 të statutit të KMSH-së, ndërsa një kopje e këtij vendimi do t'i dërgohej zyrtarisht Sulejmanit në qytetin e Shkodrës. Po kështu, më tej Demetja pohoi se shkarkimin e Sulejmanit e ka propozuar Këshilli i Myftinisë së Shkodrës, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe vetë kreu i KMSH-së Selim Muça, ndërkohë që KP e ka përkrahur dhe ka votuar për shkarkimin nga detyra të myftiut të Shkodrës. fa.ma.