E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Otrantos, familjarët: ‘Kateri i Radës’ të kthehet në Shqipëri

TIRANË- Familjarët e 81 personave që më 28 mars të vitit 1997 humbën në ujrat e detit Jon, kërkojnë që relikja e ‘Katerit të Radës’, anija që do të mbajë në memorie me shekuj tragjedinë të vendoset në Shqipëri.

Mediat italiane pak ditë më parë bënë me dije që skeleti i ‘Katerit të Radës’ do kthehet në një vepër monumentale, në kujtim të viktimave. Simboli i dashurisë do vendoset në hyrje të Portit të Otrantos, pranë plazhit, përballë brigjeve shqiptare.

Familjarët e tregjedisë së Otrantos nëpërmjet një konferencë për mediat theksojnë që po bëhet padrejtësi ndaj familjarëve të tyre që humbën jetën në këtë tragjedi, ndërkohë akuzojnë shtetin se nuk mbajti fjalën për të ngritur një monument në nder të tyre.

Familjarët e viktimave, duke bërë apel që monumenti të vendoset në Shqipëri, theksojnë se pas punimeve të ndërtimit të munumentit në Itali fshihen interesa të fshehta.

Lidhur me tragjedinë e Otrantos, në Tribunalen Penale të Leçes në Itali është në proces një çështje gjyqësore, ndërkohë që një tjetër çështje civile është duke u zhvilluar në Gjykatën e Brindisit.

Të akuzuarit Fabrizio Laudadio, kapiten i anijes ushtarake italiane “Sibila” dhe Namik Xhaferri, kapiten i “Kateri i Radës”, janë dënuar në shkallën e parë në gjykatën e Brindisit, me 3 dhe 4 vjet burg.

Në 28 mars të vitit 1997, gjatë largimit drejt Italisë me anijen “Kateri i Radës”, humbën jetën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë, ndërkohë që 34 të tjerë mbijetuan.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›