Skandali, presidentja e Kosovës me diplomë “false”
Policia ka paguar për diplomimin e disa oficerëve të saj, përfshi edhe Presidenten aktuale të Kosovës, por universiteti i zgjedhur ka qenë i paakredituar dhe diplomat janë të paligjshme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe drejtuesit e Policisë së Kosovës mund të krenohen se kanë diploma masteri dhe specializime për kriminalistikë nga Universiteti i Sarajevës, si dhe mund të jenë ngritur në karrierë falë këtij shkollimi, i cili është i jashtëligjshëm dhe një diplomë e pavlerë. Këtë fakt e konstaton një auditim dhe inspektim i brendshëm i Policisë së Kosovës, i iniciuar më 2009-ën. E para e vendit, Jahjaga, dhe policët tjerë, përveçse mund të jenë ngritur në pozita të ndryshme në Policinë e Kosovës dhe në karrierë falë këtyre diplomave ilegale, ata kanë dëmtuar edhe buxhetin e Kosovës me mijëra euro. Pavarësisht se legjislacioni kosovar obligon çdo institucion të lartë arsimor në Kosovë që të licencohet dhe akreditohet për të zhvilluar veprimtarinë e tij, këtë nuk e ka bërë Universiteti i Sarajevës, nën emrin e të cilit pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndjekur programe magjistrature dhe studime specialistike. Me synimin për ngritjen e nivelit profesional të policisë, ky shkollim i përbërë prej dy trajnimeve në Universitetin e Sarajevës ka kaluar kufijtë e ligjshmërisë.
Paligjshmërinë e ka konstatuar një hetim i iniciuar nga Njësia për Auditim dhe Inspektim e Policisë në janar të 2009-ës, e sipas të cilit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndjekur dy trajnime sipas një marrëveshjeje të lidhur ndërmjet Policisë së Kosovës (atëherë SHPK) në vitin 2006, me Institutin për Kriminologji dhe Studime të Sigurisë të Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës të Universitetit të Sarajevës, me dekan Ramo Maslesha, por që ky institucion nuk ka pasur licencë, ndonëse ligji i vjetër për Arsimin e Lartë në Kosovë ka detyruar çdo bartës të arsimit të lartë në këtë vend të ketë një licencë për të kryer punën e tij, e cila lëshohet nga Ministria e Arsimit. Policia e Kosovës, për shkollimin e grupit të kandidatëve ka paguar në total 35.000 euro për dhjetë veta, dhe për një polic, vlera e studimeve ka shkuar në 3.500 euro. Kjo pagesë është bërë më 2006-ën, kohë kur është nënshkruar marrëveshja. “Zëri” ka siguruar edhe dokumente të tjera pagese që mbajnë vulën e policisë, departamentit të Thesarit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku po ashtu për këto studime figuron dhe një shumë prej 15.000 eurosh e derdhur më 07.08.2007 në konton e Universitetit të Sarajevës, ndërsa dhe 10.000 euro të tjera në qershor të të njëjtit vit. Marrë nga ‘Zëri.info’