E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Lezhë s’ka më vend për të vdekurit

Lezhë-Të vdesësh e mos të kesh vend për t’u varrosur, është ky problem i madh që aktualisht ngrenë banorët e qytetit të Lezhës. Hapësira e planifikuar e varrezave është zënë plotësisht. Banorë të qytetit të Lezhës ankohen se nuk kanë se ku t’i dërgojnë të afërmit e tyre që vdesin, pasi nuk ka mbetur asnjë vend në varreza. Alarmi është dhënë nga ana e banorëve të këtij qyteti, ndërsa kjo ka qenë edhe një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut të Lezhës. Sipas tij, Bashkia do blinte tokë për të hapur vend për varrezat e qytetit. Madje edhe lulishtja e varreve, e cila ka qenë një pjesë që kishte mbetur pa u zënë, është mbushur tani plotësisht dhe për pasojë nuk ka asnjë vend për banorët që vdesin gjatë kësaj periudhe. Kryetari i Bashkisë, Tusha është bashkuar me shqetësimin e banorëve, ndërsa pret mbledhjen e këshillit bashkiak për ngritjen e këtij problemi dhe gjetjen e ndonjë vendi tjetër për varreza. Sipas Tushës, “ky është një shqetësim më se imediat për banorët e Bashkisë së Lezhës. Kemi kohë që po merremi me gjetjen e ndonjë vendi tjetër, pasi edhe zgjerimi i varrezave në vendin ku ndodhen aktualisht është shumë i vështirë. Impenjimi ynë nuk ka munguar, por ka qenë e vështirë dhe vazhdon të jetë”. Ai ka thënë gjithashtu se do ta mbajë premtimin elektoral për ta bërë qytetin me varreza të reja, diçka vërtet e domosdoshme edhe pse në dukje mjaft sarkastike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›