E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia që erdhi nga të qarat

Nga Bledar Lumani

Identifikohen autorët e trafikut të klandestinëve dy ditë më parë në Butrint, ku gjetën vdekjen dy persona. Policia e Shtetit bëri të ditur gjatë ditës së djeshme se ka identifikuar katër organizatorët që tentuan të kalonin në mënyrë ilegale për në Greqi 25 persona, ku tre prej tyre rezultojnë të jenë nga qytetit i Fierit. Të dyshuarit janë Yqmet Sollaku, Albert Gega dhe Brahim Madhi, teksa identiteti i trafikantit të katërt nuk është bërë i ditur. Këta të fundit janë shpallur në kërkim nga ana e policisë. Ndërkohë, sipas dëshmive të para, tragjedia ka ardhur si pasojë e të qarave të fëmijës 3-muajshe që ndodhej në varkë. Mësohet se fëmija ka qarë në momentin që varka ka qenë duke kaluar pranë postbllokut të policisë, çka ka sjellë edhe reagimin e drejtuesit të varkës. Ky i fundit i ka bërtitur fëmijës, gjë që nuk është pritur mirë nga i ati, i cili e ka qëlluar me grusht drejtuesin e varkës. Ky ka qenë edhe momenti kulminant, pasi ka qenë edhe çasti në të cilën është përmbysur barka. Sakaq, edhe gjatë ditës së djeshme nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 18-vjeçarit nga Lushnja, Ndriçim Miftari, kërkime të cilat mësohet se do të vazhdojnë sërish gjatë ditës së sotme.

Trafikantët

Policia e Shtetit bëri të ditur gjatë ditës së djeshme se ka identifikuar autorët e mundshëm të trafikut të klandestinëve dy ditë më parë në Butrint, ku gjetën vdekjen Elvira dhe Klara Jaho, teksa nuk është gjendur ende trupi i 18-vjeçarit Ndriçim Miftari. “Nga tërësia e gjithë veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, ka rezultuar se drejtuesit e barkës së mbytur janë identifikuar dhe po punohet për dokumentimin e veprimeve të tyre në këtë ngjarje, si dhe arrestimin e tyre. Gjithashtu, nga pyetja e personave të shoqëruar, dhe nga tërësia e veprimeve të tjera policore, është bërë i mundur identifikimi i personave që kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë”, - bëri të ditur policia. Mësohet se të dyshuarit janë katër persona, tre prej të cilëve nga qyteti i Fierit, përkatësisht, Yqmet Sollaku, Albert Gega dhe Brahim Madhi. Sipas burimeve të policisë, kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë organizuar trafikun e klandestinëve për në drejtim të Greqisë, teksa tashmë ata janë shpallur në kërkim dhe shumë shpejt pritet arrestimi i tyre. Këto burime thanë se kanë qenë dëshmitë e vetë klandestinëve ato që bënë të mundur identifikimin e të dyshuarve. Sakaq, për tragjedinë e Butrintit është krijuar edhe një grup i posaçëm hetimor, i cili pritet që të zbardhë gjithë rrjedhën e ngjarjes së rëndë. “Ky grup kryesohet nga prokurori i rrethit gjyqësor Sarandë, në përbërje të të cilit janë drejtuesit e policisë së qarkut Vlorë, drejtues të policisë së Sarandës dhe drejtues të sektorit të anti-trafiqeve në Policinë e Shtetit”, - bëri të ditur policia në një deklaratë për shtyp.

Tragjedia

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, ku një grup prej 25 vetësh tentuan që të kalonin për në Greqi me anë të dy varkave. Për t’iu shmangur postbllokut të shërbimeve të policisë kufitare, të cilat qëndrojnë pranë vendit të quajtur “Lundra”, klandestinët kanë marrë varkat pas parkut, tek ish-peshkimi, në vendin e quajtur “Bufi”. Të ndarë në dy varka, ata janë nisur për në Xarrë, por fatkeqësisht, pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga varkat është përmbysur, duke i hedhur në ujë të gjithë personat që ndodheshin në të. Sipas dëshmive të para të dhënë në rajonin e policisë së qytetit të Sarandës, mësohet se shkak për përmbysjen e varkës ka qenë qarja e fëmijës 3-muajshe, Klara Jaho, e cila fatkeqësisht gjeti edhe vdekjen mbrëmjen e së dielës. Mësohet se fëmija ka filluar të qajë në momentin që varka me 13 klandestinë ka qenë duke kaluar pranë postbllokut të policisë. Në këtë çast, drejtuesi i varkës i ka ulëritur fëmijës që të pushojë, me qëllimin për të mos u diktuar nga rojet kufitare të policisë. Por i ati i fëmijës, Dritan Jaho, ka reaguar në këtë moment, duke qëlluar me grusht drejtuesin e varkës, çka ka sjellë më pas edhe humbjen e kontrollit të varkës nga ana e këtij të fundit. Brenda pak sekondash, varka është anuar dhe të gjithë klandestinët që gjendeshin në të e kanë parë veten të zhytur në ujë. Nga të 13 personat që gjendeshin në varkë, 21-vjeçarja Elvira Jaho, së bashku me vajzën e saj 3-muajshe, Klarën, nuk kanë mundur dot që ta dalin në sipërfaqe, teksa për pasojë kanë gjetur edhe vdekjen. Sakaq, nuk dihet ende edhe fati i 18-vjeçarit nga Lushnja, Ndriçim Miftari, i cili ka qenë në varkën që u mbyt. Nga hetimet e deritanishme, rezulton që barka e përmbysur të ketë qenë prej druri dhe përdorej nga peshkatarët për gjuetinë e midhjeve. Pas konstatimit të ngjarjes që po ndodhte, mësohet se kanë ndërhyrë menjëherë punonjësit e patrullës së policisë kufitare, duke shpëtuar shtatë prej personave. Më pas, në vendin e ngjarjes mbërritën përforcime të shumta, katër ambulanca dhe rreth 50 efektiva policie.

Kërkimet për Miftarin

Kërkimet për gjetjen e 18-vjeçarit, Ndriçim Miftari, nga fshati Imshtë i komunës Bubullimë të Lushnjës do të fillojnë sërish sot, pasi pavarësisht kërkimeve të shumta gjatë ditës së djeshme, palombarët nuk kanë mundur që të gjejnë asnjë gjurmë të tij. Për gjetjen e tij në liqen, gjatë gjithë ditës së djeshme kanë qenë të angazhuar 6 palombarë, por që nuk kanë mundur të gjejnë asnjë shenjë nga i riu. Sakaq, familjarët e tij kanë zhvilluar një takim me shefin e komisariatit të Policisë së Sarandës, i cili u ka garantuar përpjekje maksimale për gjetjen e tij. Sipas policisë, ekziston edhe pista se djali mund të jetë gjallë. Për këtë, forcat RENEA të mbërritura nga Tirana vazhdojnë kërkimet në kodrat dhe malet përreth për gjetjen e tij, por edhe të organizatorëve të trafikut. Ndërkohë, 22 të mbijetuarit vazhdojnë që prej mëngjesit të djeshëm të merren në pyetje nga specialistët e Policisë së Sarandës, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë në Butrint, ku gjetën vdekjen 21-vjeçarja Elvira Jaho, si dhe vajza e saj 3-muajshe, Klara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›